Një varkë e vogël peshkimi, sanalle, është përmbysur në det dhe dyshohet se brenda ndodheshin dy persona. Ngjarja ka ndodhur në Durrës, pranë plazhit të Currilave.
Një nga personat që ndodheshin në varkë ka mundur të dalë në breg, dhe është transportuar në drejtim të spitalit të Durrësit. Ai që ka dalë në breg është Ilir Bardheti, 40-vjeçar.
Personi tjetër që ndodhej në pedalon ende nuk është mundur të gjendet. Po vijojnë kërkimet për të. Ai quhet Ardian Mërkuri i moshës 52-vjeçare.
Policia ndodhet në vendngjarje, ndërkohë që kanë nisur kërkimet për të gjetur personin e zhdukur.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Më datë 01.03.2020, rreth orës 12:25, në lagjen nr.1, Durrës, dy shtetas ishin futur në det me një pedalon për peshkim, ku si pasojë e dallëgëve pedaloni është përmbysur.
Menjëherë pas njoftimit të marrë shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të DVP Durrës kanë dalë në det me mjet lundrues dhe në bashkëpunim me një prej familjarëve është bërë e mundur nxjerrja në breg e shtetasit I.B, rreth 48 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa personi tjetër shtetasi A.M, rreth 52 vjeç, dyshohet se është mbytur.
Shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet me mjete lundruese si dhe janë nisur polumbarët e Reneas për të bërë të mundur gjetjen e tij.
(E.K/Faxweb.al)