Ka nisur që prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm mbledhja e radhës e task-forces në Ministrinë e Shëndetësisë ku e pranishme është Ogerta Manastirliu si dhe drejtori i zyrës së OBSH në Tiranë Raul Gonzales.
Manastirliu deklraroi se deri më tani, nuk ka asnjë rast të konstatuar të ndonjë qytetari të prekur nga koronavirusi, ndërsa ka ndarë informacionet lidhur me numrin e personave të kontrolluar përgjatë 24 orëve të fundit dhe masat e sigurisë kë pikat e kontrollit.
“Asnjë rast me koronavirusin e ri edhe pse në Itali paraqitet një situatë me shumë raste. Shqipëria nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirusin e ri. Deri më tani janë realizuar 42 testime të cilat kanë rezultuar negative. Ditën e djeshme janë testuar 6 raste të reja që kanë dalë negative. Përshëndes strukturën tonë në terren në pikat hyrëse në vend ku po bëhet një punë për kontrollin dhe masat që duhen marrë për të pasur edhe një gjurmim të personave që duhet të vetëkarantinohen”, u shpreh Manastirliu.
Nga ana e tij, drejtori i zyrës së OBSH në Tiranë Raul Gonzales deklaroi se duhet të shmanget keqinformimi lidhur me koronavirusin i cili sipas tij, shkakton dëme shëndetësore dhe ekonomike.
Ai theksoi se duhej patur besim tek institucionet dhe ekspertët e certifikuar ndërkombëtarisht duke shtuar se vijojnë përpjekjet për të kuptuar se pse nuk ka asnjë rast me koronavirus në Shqipëri.
“Unë ju kërkoj të keni besim tek institucionet dhe ekspertët e certifikuar ndërkombëtarisht. Në Spanjë para dy javësh kemi hasur raste me koronavirus. Ne po përpiqemi të mësojmë pse nuk ka asnjë rast në Shqipëri. Personat e prekur në vendin tim nuk kishin udhëtuar jashtë vendit dhe nuk kishin pasur kontakte me persona të prekur. Një pikë tjetër është edhe informimi. Element kyc është informimi dhe duhet të shmangim keqinformimin. Nuk duhet të shpërndajmë lajme të rreme sepse i bëjnë keq shëndetit dhe ekonomisë së vendit”, tha Gonzales.
Drejtuesi i Urgjencës Kombëtare, Skënderj Brataj, gjatë raportimit në mbledhjen e Task-Forcës, tha se Urgjenca Kombëtare Mjekësore ka skeduar 694 raste me skedën korona.
“Kemi skeduar 694 raste me skedën korona. Jemi të organizuar me ekipet tona që pasi vlerësohet rasti, shkojmë me personelin e kualifikuar dhe mjetet mbrojtëse në vendngjarje dhe e transportojmë sipas protokollit në spitalin infektiv”, tha Skënder Brataj, drejtori i urgjencës kombëtare.
Najada Çomo, shefe e spitalit Infektiv në QSUT u shpreh në raportimin në Task-Forcë se, në spitalin infektiv nuk ka asnjë rast të rëndë qoftë nga gripi apo rastet e dyshuara nga koronavirusi.
“Në spitalin infektiv nuk ka asnjë rast të rëndë qoftë nga gripi apo rastet e dyshuara nga koronavirusi. Jemi në gatishmëri me ekipet mjekësore dhe masat për oksigjieno-terapinë për të përballuar skenarët nga rasti 1 e në vijim”, tha prof. Najada Çomo, shefe e shërbimit infektiv.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post