Kryeministri Edi Rama ka emëruar në postin e Avokatit të Shtetit, Enkelejda Muçajn, pas largimit nga ky post të Artur Metanit, i cili u zgjodh në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Edhe pse me një kërkim të thjeshtë rezulton se Muçaj nuk ka pasur detyra të larta publike, duket se ajo është një nga njerëzit më të besuar të kreut te qeverisë.
Emri i saj del vazhdimisht në dosjet që kryeministri Edi Rama ka depozituar në gjykatë, kundër medias dhe opozitës, për shpifje, një fushatë që e ndoqi për një kohë të gjatë.
Muçaj, e cila ka folur në seancë në emër të shefit të qeverisë, i ka fituar disa prej çështjeve, dhe kjo duket se ka qenë trampolina e saj për të shkuar drejt një posti të rëndësishëm siç është ajo e avokates së shtetit.
Pikërisht ky emërim rikthen edhe njëherë në vëmendje akuzat që i janë bërë vazhdimisht qeverisjes së Edi Ramës, që në poste kyçe, e vecanërisht në ato që lidhen me organet e drejtësisë, ka vendosur njerëz të tij të afërt, dhe pa asnjë meritë e sprovë të mëparshme në administratën publike.
Në një shikim të shpejtë në linkedin, shihet se Meçaj ka asistuar disa klientë të huaj dhe vendas që operojnë në tregun e naftës dhe të gazit, si dhe ka qenë për një periudhë dy vjeçare si asistente e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
V E N D I M PËR EMËRIMIN E AVOKATIT TË PËRGJITHSHËM TË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Enkelejda Muçaj emërohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA
(E.K/Faxweb.al)