Pas publikimit të lajmit se farmacia e bashkëshortes së këngëtarit Ylli Baka ka rënë pre e grabitjes, ka reaguar edhe policia e shtetit.
Policia e Elbasanit solli një njoftim mbrëmjen e sotme (6 mars) mbi grabitjen farmacisë të ndodhur më 26 shkurt në fshatin Papër.
Sipas policisë, nga farmacia u vodhën medikamente me vlerë 2.5 milion lekë. Ngjarja ende nuk është zbardhur dhe policia lokale thotë se punon intensivisht për këtë.
Njoftimi i plotë:
Elbasan – Në përgjigje të interesit te disa mediave, lidhur me lajmin për vjedhjen e një farmacie, informojmë se:
Në datë 26.02.2020, në fshatin Papër, Elbasan, gjatë natës është vjedhur një farmaci ku janë marrë medikamente me vlerë rreth 2.5 milion lekë.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ka kryer të gjitha veprimet dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.
Vijon intensivisht puna për zbardhjen e ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve.
(M.Q/Fxaweb.al)