Teksa është duke bërë një dëgjesë publike për zonat e prekura nga tërmeti, kryeministri Rama ka folur nga Shijaku dhe për koronavirusin, që ka shkaktuar më shumë se 3400 viktima në të gjithë botën.
Rama tha se derimë tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast pozitiv, po edhe nëse vjen sipas kreut të qeverisë, Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për ta përballuar.
“Nuk të jap dorën sepse ti vjen nga italia”, e ka nisur Rama me batutë, duke i thënë arkitektit, që ka bërë projektet e banesave private, pas tërmetit.
“Nuk dhashë shembull pedagogjik me dhënien e dorës, por është një infodemi e lajmeve që rrit panikun.
Lajmet e rreme na pengojnë në përballje me epideminë, por derimë tani nuk kemi asnjë rast me koronavirus në Shqipëri.
Dihet kush i ushqen burimet që përhapin panik.
Jemi pjesë e rrjetit të koordinuar të OBSH, s’ka koronavirus. Thonë që e kemi fshehur, por ju siguroj që nuk ka raste.
Mos ardhtë kurrë, por nëse vjen, do e përballojmë.
Maskat duhen për personelin mjekësor ose të prekurit, nuk ka nevojë që të vendosen nga të gjithë qytetarët.”, u shpreh Rama mes të tjerave.
(E.K/Faxweb.al)