Një person është arrestuar në kryeqytet pasi është përfshirë në sherr me një efektiv policie për shkak se kishte parkuar në mënyrë të parregullt ndërsa efektivi në fjalë kishte marrë ndaj tij një masë ndëshkuese.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur në lagjen “Migjeni”, ndërsa shtetasi I.k., ka qëlluar me grusht efektivin e rrugores identiteti i të cilit nuk bëhet me dije.
Sipas Policisë, 50-vjeçari nuk ishte dakort për masën e vendosur nga punonjësi i Policisë Rrugore.
Njoftimi i Policisë:
Kundërshtoi dhe goditi punonjësin e Policisë Rrugore në detyrë, vihet në pranga 50-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Polciisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë nga punonjësi i Policisë Rrugore se një drejtues mjeti e kishte kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit I. K., 50 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, në rrugën “Migjeni”, punjonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor, në momentin që ishte duke marrë masa administrative për parkime të gabuara ndaj mjeteve, një drejtues mjeti, konkretisht shtetasi I. K., e ka kanosur dhe goditur për shkak të detyrës, pasi nuk ishte dakort për masën e vendosur nga punonjësi i Policisë Rrugore.
Materialet do t’i kalojnë prokurorisë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” ,“Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasit I. K., i cili rrezikon dënimin me burgim deri në 5 vjet.
(F.GJ/FAXWEB.AL)