Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është duke e shqyrtuar mundësinë e mbylljes së përkohshme të shkollave në Kosovë. Kjo masë pritet të merret për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Virus ky i cili deri më tani ka marrë jetën e afro 4 mijë personave në gjithë botën.
Ministrja e Arimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, ka thënë për Gazetën Express se dikasteri të cilin ajo e drejton, deri më tani ka zbatuar të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShT) është në kontakt me autoritete relevante rreth situatës epidemiologjike të Koronavirusit COVID 19. Deri më tani janë zbatuar të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka treguar se po shqyrtohet nëse duhet të ndërmerren masa tjera, siç është mbyllja e përkohshme e shkollave.
“Jemi duke shqyrtuar edhe vendimin nëse duhet marre masa tjera, siç është mbyllja e përkohshme e shkollave. MASHTI dhe MSH do të kërkojnë që kjo çështje te shqyrtohet në mbledhje të kabinetit qeveritar”, ka deklaruar Bajrami.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Bakuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë për median kosovare se ende nuk janë takuar me zyrtarë të MAShT-it, për të diskutuar rreth çështjes së mbylljes së shkollave për të parandaluar përhapjen e virusit.
“Nuk kemi pasur ndonjë takim deri më tani, po presim të takohemi edhe për çështje tjera. Por edhe për rastin në fjalë nëse na thërrasin do të shkojmë në takim dhe do të japim mendimin tonë. Besoj se Ministria e Arsimit është në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë, do ta përcjellin situatën dhe do të vendosin si është më së miri”, ka deklaruar Jasharaj.
Ai ka shtuar se SBAShK-u do të përkrah çfarëdo vendimi që del nga MASht-i dhe Ministria e Shëndetësisë.
“Besoj se institucionet do ta kenë parasysh deklaratën e kryetarit të Prishtinës, ata le të vendosin. Për momentin nuk kemi ndonjë alarm nga kolegët tanë nëpër shkolla. Do të qëndojmë bashkë me ministritë për të dhënë kontributin tonë”, ka thënë Jasharaj.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar që të konsiderohet pushimi nëpër shkolla, për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
“Edhe njëherë – marr parasysh përhapjen e virusit rreth nesh dhe zhvillimet në vendet e prekura, ne kemi mundësinë që këto masa ti marrim tani. Ndalimi i tubimeve publike e deri te pushimet në shkolla duhet të konsiderohen shpejtë. Pa panik, vetëm hapësirë më e madhe për parandalim”, ka shkruar ai në Facebook.
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se me ministren e Arsimit, Hykmete Bajramin, po shqyrtojnë nëse duhet të marrin masa parandaluese në institucionet e arsimit për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Hoti përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të shqyrtojnë masat që do të merren për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.
Sipas Hotit, masat parandaluese do të merren në institucionet arsimore.
“Ne kordinim me Ministren e Arsimit, po shqyrtojmë nëse duhet ndërmarrë masa tjera parandaluese në institucione arsimore kundër COVID 19. Çdo masë do të koordinohet me autoritetet shëndetësore. Ne mbledhje të Qeverisë do të diskutojmë për ketë çështje dhe do të ndërmarrim masat e nevojshme”, ka shkruar Hoti.
Komiteti Kombëtar ka bërë të ditur se nga ora 14:00 do të mblidhet për të diskutuar për hapat konkret që qeveria do t’i marrë, sa i përket situatës së krijuar me koronavirus.
Kujtojmë se në Kosovë deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus Covid-19. Shteti aktualisht ka ndaluar fluturimet nga Prishtina për në qytetet e veriut të Italisë ku është përhapur virusi. Ndërkaq sot pritet të mblidhet Komiteti për koordinimin e situatës me koronavirusin ku pritet të merren vendime për masat tjera.
Në Shqipëri ndërkaq dje janë shënuar dy rastet e para të prekura me koronavirus. Njëri nga të prekurit kishte ardhur nga Italia, e nga ai dyshohet se është infektuar edhe babai i tij.
Italia është shteti evropian që ka më së shumti raste të prekura nga epidemia e virusit që origjinën e ka në Kinë. Në Itali deri dje janë regjistruar 7 mijë raste të prekura, ndërsa kanë vdekur 366 persona.