Ditën e djeshme u zbardh ftesa që Hashim THaçi i’u kishte bërë drejtuesve politik në Kosovë për t’u takuar përgjatë ditës së sotme në kuadër të arritjes së një plani të përbashkët qëndrimi sa i përket kryesisht politikës së jashtme, por edhe çështjeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me Serbinë.
Mësohet se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga presidenti Thaçi ndërsa ka argumentuar se nuk ka interes për ta takuar kreun e shtetit.
Presidenti E kishte ftuar në takim Kurtin në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, e jo si kryeministër të vendit.
“Presidenti Thaçi duhet të shkonte në seancën ku foli e mbijetuara e dhunës seksuale në luftë, Vasfije Krasniqi, dhe jo të mbajë takime të ndara, për të përçarë”.
Kujtojmë se në harkun kohor të 30 ditëve, Kurti e kishte ftuar dy herë presidentin e vendit ndërsa ky i fundit nuk i është përgjigjur, por vlen të theksohet se përplasjet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme për shkak të qëndrimeve të ndryshme në lidhje me marrëdhënien e Kosovës me Serbinë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)