Miqësorja e planifikuar më 27 mars, San Marino-Shqipëri, është anuluar. Shkak është bërë situata emergjente e “Coronavirus” në Itali, vend i cili ndodhet në karantinë të rreptë në pjesën veriore. Dihet tashmë se ç’po ngjet edhe me futbollin atje, me ndeshje të shtyra, ose që po luhen në stadiume pa tifozë. Ky virus i frikshëm ka mbërritur zyrtarisht edhe në vendin tonë, ndaj edhe këtu janë mbyllur dyert e stadiumeve deri më 3 prill. Kësisoji, është e pamundur që dy miqësoret e kuqezinjve, të planifikuara për fundin e këtij muaji, të zhvillohen në tokën italiane, sikurse ishte parashikuar (edhe San Marino është në zonën e rrezikut, të alarmit të kuq).
Së pari, stafi italian i kombëtares sonë nuk mund të lëvizë dot (Edy Reja nuk shkoi dot as në Amsterdam, kur u hodh shorti i Ligës së Kombeve), por po ashtu, edhe futbollistët kuqezinj kanë kufizime të tilla. Sidomos ata që luajnë në Itali, nuk mund të lëvizin lirisht. Për momentin është anuluar miqësorja me San Marinon, por duket se drejt këtij vendimi po shkohet edhe për atë me Slloveninë, e parashikuar të luhej më 31 mars, në Udine.
Sipas Federatës Sllovene të Futbollit ndeshja me Shqipërinë është anuluar po ashtu për shkak të koronavirusit.
U mendua që ndeshjet në fjalë të spostoheshin në Tiranë, por prekja e vendit tonë nga “Coronavirus” e ka hedhur poshtë edhe këtë mundësi. Pa tifozë, me lojtarë e staf teknik që nuk mund të lëvizin lirisht në këtë periudhë alarmi dhe emergjence, nuk do të kishin kuptim këto dy ndeshje, as të merreshin përsipër rreziqe që kanë të bëjnë me shëndetin.