Ministria e Jashtme e Punëve të Greqisë ka reaguar lidhur me votimin në Parlamentin Shqiptar të Ligjit mbi pronat.
Sipas ministrisë së Jashtme Greke, votimi nga ana e Parlamentit Shqiptar, të ligjit mbi çështjen e pronave, përbën një shans të humbur për zgjidhjen e drejtë dhe përfundimtare të një problemi që mundon qytetarët Shqiptarë, përfshirë këtu edhe anëtarët e Minoritetit Etnik Grek.
Më tej ministria e Jashtme Greke thekson se autoritetet Shqiptare zgjodhën për t’i dhënë ‘’zgjidhje ‘’ pa marrë parasysh vlera dhe të drejta themelore.
“Zbatuan në mënyrë të pjesshme Opinionin e Komisionit të Venecias të dt. 14 tetor 2019, i cili theksonte se ‘’dispozitat e projekt Ligjit janë të paqarta dhe të papajtueshme me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zbatimi i mundshëm i tyre do të përbënte shkelje të së drejtës së pronësisë’’.
Megjithëse në momentet e fundit u bënë disa përmirësime, problemet kryesore mbetën edhe tek Ligji që u votua.
Presim nga Autoritetet Shqiptare të mbrojnë në mënyrë efektive të drejtën e pronësisë dhe të pronës, një çështje kjo, që përfshihet në bërthamën e ligjeve kryesore të së Drejtës Europiane.
Sanksionimi i kësaj të drejte do të përbejë gurin e provës, në kontekstin e marrjes së vendimeve për hartimin e kuadrit negociues (negotiating frameëork) dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare (1st intergovernmental conference) për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërinë.”- njofton ministria e Jashtme Greke.
Kujtojmë se ,e 94 vota pro parlamenti shqiptar ka miratuar dje ligjin “për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, një ligj që prek një pjesë të madhe të problematikave në Shqipëri që kanë të bëjnë me pronën, si tokat e ndara me ligjin 7501, oborret në përdorim, legalizimet, tokat në bregdet e të tjera me radhë.
Drejtori i Kadastrës Artan Lame sqaroi se për të gjitha ato banesa që nuk mund të legalizohen, shtëpitë do të shemben ndërsa qytetari do të marrë kompensim. Po ashtu përfitojnë edhe ata që kanë ndërtuar pa leje.
“Jemi në shifrën e 180 mijë legalizime. Askush që ka një banesë nuk mund të nxirret nga banesa pa marrë një shpërblim, qoftë edhe të pjesshëm për banesën e tij. Ligji i vjetër thoshte që banesat që nuk legalizohen prishe, ligji i ri i ndan në dy kategori të mëdha. Banesat që do të përmbyllen do të vazhdojë procesi i legalizimit dhe banesat që nuk mund të realizohen për arsye të infrastrukturës apo projekteve do të përfitojnë ose banesë sociale ose kompensim por jo vlerën e plotë”, u shpreh Lame.