Një çift kanë mbërritur tek spitali i infektivit në Tiranë nga Skrapari pasi ishin dyshuar nga stafi mjekësor atje se mund të ishin të infektuar me koronavirus.
Ata kanë thënë gjatë një interviste për Top Channel, se kanë mbërritur në Tiranë para një jave, kanë qëndruar në kryeqytet rreth 6 ditë më pas kanë shkuar në Skrapar, ndërsa temperatura e vajzës ka ngjallur dyshimet për virusin.
Sipas djalit emri i të cilit nuk bëhet i ditur, drejtoresha e Spitalit të Skraparit i ka rekomanduar që për merak të shkojë në Tiranë të bëjë kontrolle ndërsa çifti ka refuzuar të transportohen me autoambulancë, duke zgjedhur të vinin me makinën e tyre private.
“Para një gjysëm ore më dërgoi drejtoresha e spitali, kishte goca temperaturë dhe më tha se dyshon për korona. Kemi ardhur nga Italia, zona e Riminit javën e kaluar. Dje kemi mbërritur në Skrapar pasi kemi qëndruar një javë në Tiranë. Dërguam gocën tek spitali se na kishte temperaturë. Na thanë për ambulancë por nuk pranuam erdhë me makinën tonë. Kam ardhur thjeshtë për merak, do dalim në Tiranë nesër të festojmë, jemi shumë mirë. Nuk kemi fare frikë. Asgjë nga sa është thënë nuk është e vërtetë”, tha djali.
“Vetëm temperaturë kam 38, 39. Po tani është ulur. Kollë pak dhe shumë rrallë. Frymëmarrjen e kam në rregull. Tani po futemi brenda. Kemi 10 minuta që jemi këtu. Nuk e dinim ku ishte shkuam tek urgjenca. Kemi ardhur nga makina jonë.”, tha vajza
(F.GJ/FAXWEB.AL)