Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur kërkesën e tij ndaj qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti për të hequr taksën ndaj Serbisë sikurse e ka kërkuar Amerika.
Sipas Kreut të Shtetit Qeveria e Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht që të merren vendime në përputhje me kërkesat e Shteteve të Bashkuara.
“Si President i Republikës së Kosovës i kërkoj urgjentisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë”, ka shkruar presidenti në Facebook.
“Të gjithë ne, krerë institucionesh, liderë politikë apo qeveri, jemi të zëvendësueshëm. Por, jetike dhe të pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës janë vetëm raportet me SHBA-në. Konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”, ka shtuar më Thaçi.
Këto komente të presidentit vijnë pas lajmit për tërheqje të trupave amerikane nga Kosova, ndërsa nga ana e tij Kurti ka thën se tërheqja e trupave është dëshirë e djalit të Donald Trump.
Kërkesës së Presidentit i është përgjigjur kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa OSmani e cila ka deklaruar se do të behët njëherësh shkarkimi i Kreut të Shtetit bashkë me heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
Osmani ka mbajtur një fjalim , në Kuvendin e Kosovës ku ka propozuar dy parime për dialogun me Serbinë.
“Unë propozoj se dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet mbi dy parime. E para; Të mbrohen interesat e vendit. E dyta, të mbrohen miqësitë me shtetet shpëtimtare. E para s’mundet pa të dytën e as e dyta pa të parën”, tha Osmani.
Më tej, ajo ka thënë se masa e reciprocitetit e vendosur nga Qeveria e Kosovës është e votuar nga Qeveria e përbërë nga të dyja partitë e koalicionit.
Ndërsa për Shtetet e Bashkuara, ajo e bëri të qartë pozicionin e Kosovës karshi tyre.
“Kosova kurrë nuk ka pasur sukses pa e pasur SHBA-në në krah. Shteti ynë nuk mundet pa aleatet e Kosovës. Apeli im është për të gjithë, që të ulemi dhe ta gjejmë gjuhën e përbashkët që i mbron këto dy parime, edhe interesin e vendit edhe miqësitë me këto shtete”, thotë Osmani
Ndërsa për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, Osmani thotë se duhet të hiqet së bashku me tarifën.
“Tarifa duhet të hiqet bashkë me presidentin uzurpues të dialogut Kosovë–Serbi. Presidenti duhet të ishte simbol i unitetit, e ai e quan kryeministrin e Kosovës manipulues, përpëlitës, mashtrues etj”, shtoi Osmani.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post