Në një kohë të zakonshme mbremja e 13 marsit do të kishte mbledhur në shesh mjaft qytetarë për të kremtuar Natën e Verës, duke i lënë vend datës 14 kur do të kulmonin festimet. Por në një kohë të jashtëzakonshme, kur është shpallur gjendja e pandemisë, pamja e ofruar nga qyteti i ballokumeve është vërtetë trishtuese.
Bulevardi është krejtësisht bosh dhe parqet po ashtu. Ndonëse në vatrat familjare gjithësecili është përpjekur të festojë, entuziazmi nuk është i njëjtë. Prej mëngjesit të sotëm qyteti i luleve është nën shtetrrethim, si masa të shtuara ndaj koronavirus.
Ajo që vlerësohet pozitivisht në keto kushte është ndërgjegjësimi i qytetarëve për të qëndruar në shtëpi. Kujtojmë se në Elbasan janë 2 persona të infektuar me koronavirus.
Por situata nuk paraqitet e njëjtë në Kukës, pasi gjatë orëve të mbrëmjes është konstatuar se rrugët e qytetit gumëzhinin nga njerëzit ndërsa janë ndezur nga të rinjtë edhe zjarre.
Një festë tradicionale që starton mbrëmjen e 13 marsit e vazhdon gjatë gjithë ditës së nesërme, më 14 mars, datë që konsiderohet si ndarje me dimrin. Sonte në darkë në qytetin e Kukësit dhe në fshatrat përreth janë ndezur qindra, si paralajmërim për Ditën e Verës. Por ky ritual duket se po e humb traditën, pasi për ndezjen e zjarreve po përdoren goma makine. Me qindra goma sigurohen në rrugë të ndryshme e grumbullohen pranë banesave, pallateve e shesheve, për t’u vënë zjarrin natën e 13 marsit. Ndotja e krijuar prej tyre është shumë herë më e lartë sesa gëzimi, por ky proces nuk ndalet. Grumbullimi dhe djegja e gomave të vjetra, të cilat jo vetëm janë rrezik serioz për jetën e fëmijëve, por dhe krijojnë një ndotje masive të mjedisit.
Dhe në fund, me sa duket, një pjesë e kuksjanëve kanë ‘vendosur’ të mos i binden urdhërave nga autoritetet.
Në fund të videos janë pmajet nga Shkodra, ku rrugët e qytetit janë plot me njerëz, ndërsa duhet theksuar se shpesh herë kriteri i distancës personi me person është i papërfillshëm.
Në Vlorë ka pasur një izolim thuajse total e po ashtu në Fier, durrës, Korçë e Berat ku janë parë rrugë të boshatisura pa njerëz dhe automjete.
Ndërkohë kanë nisur që mbrëmjen e sotme paralajmërimi i bizneseve kryesisht bareve dhe restoranteve nga ana e Policisë për ti mbyllur në zbatim të urdhërit të dhënë mbrëmjen e sotme nga Ministria e Shëndetësisë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)