Policia e Shtetit ka shoqëruar pak minuta më parë aktorin Robert Budina dhe akritektin Merzhani të cilët ishin duke mbajtur një deklaratë përpara ambienteve të Teatrit Kombëtar.
Shoqërimi i tyre është bërë sipas policisë, për shkak se është i ndaluar grumbullimi i njerëzve. Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit pretendojnë se ata kanë respektuar distancat, dhe orari kur ata kanë mbajtur deklaratën ka qenë i lejuar.
Operatorët e mediave nuk janë lejuar nga policia për filmimin e momentit të shoqërimit.
Aktivistët ishin mbledhur sot për të njoftuar se kompleksi i Teatrove Kombëtar, dikur pjesë e Rrethit Skënderbeg, është emëruar zyrtarisht në listën e “7 Siteve më të Rrezikuara” nga Europa Nostra.
Ky titull vërteton se Teatri Kombëtar njihet ndërkombëtarisht si një sit i trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, por edhe Evropës.
“Titulli tashmë i hap rrugë përpjekjes për të restauruar godinën, ku Europa Nostra luan një rol thelbësor për të lobuar për projektin dhe fondet e nevojitura.
Kjo arritje nuk do ishte e mundur pa mbështetjen e qindra e mijëra qytetarëve gjatë këtyre dy viteve betejë të vazhdueshme.
Lufta për ruajtjen e Teatrit Kombëtar vazhdon, por sot u fitua një betejë e rëndësishme!”, njofton vetë Aleanca në rrjetet sociale.
(E.K/Faxweb.al)