Kryeministri Edi Rama në një lidhje me Skype me emisionin “Zonë e Lirë”, ka bërë të ditur se po studiohet lejimi i hashashit mjekësor në vend.
“Atë hashashin me leje po e studiojmë, shtete të tjera e kanë bërë… Jemi shumë të avancuar, por akoma nuk jemi në kapitullin e fundit”, ka thënë kryeministri Rama lidhur me lejimin e hashashit mjekësor në vend.
Kryeministri i është përgjigjur pyetjes së moderatorit se pse e ka refuzuar ndihmën e spitaleve private lidhur me testimin e popullatës për koronavirusin.
“Në këtë moment nuk kemi nevojë për ndihmë. Spitalet private kanë ofruar ndihmën që më herët dhe janë pjesë e strategjisë në rast se lind nevoja. Testet bëhen në laborator të çertifikuar në laborator të organizatave ndërkombëtare. Në këtë fazë nuk e kemi të nevojshme. E para, ajo që thash, strategjia dhe kapaciteti ynë për të ndjekur dhe hetuar zinxhirin e infektimit. Në Shkodër është kapur gjithë zinxhiri i infektimit dhe të gjithë personat janë të vetëkarantinuar, janë të përgjegjshëm dhe hetohen kontaktet e tyre. Ne jemi më përpara se sa të tjerët në kohë, e morëm nga Italia direkt, gjërat deri tani mos të marrim mësysh. Unë gjithmonë them Inshallah apo Amin o Zot që të mos e bëjmë si popull siç e bënë kombëtarja jonë, që marrim ato golat në fund, prandaj jam i shqetësuar”, ka thënë Rama.
“Kemi shumë pak të vdekur në krahasim se çdo kishim se jemi mbrojtur shumë shpejt. Të tjerët po të mos ishin mbrojtur, do ishin zënë rrugët nga të vdekur. Projeksioni i Shqipërisë pa mbrojtje do ishte 18 mijë të vdekur, e kam parë edhe të publikuar nga të tjerë ekspertë. Ky virus ka dhe një problem të madh, nuk di si t’i dilet përpara, se mund të ndryshojë natyrë. Rikthimi i tij në vjeshtë, një mundësi është të rikthehet më i dobët, ose më i fortë. Gripi spanjoll goditi fortë në rikthim. Është komplet e panjohur loja, është një shah që e luan me një alien, jo me një shahist përballë”, është shprehur kryeministri.