Dhoma Amerikane e Tregtisë, përmes kryetarit të saj Enio Jaço, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të bëjë disa hapa konkret për të ndihmuar biznesin e madh në këtë kohë pandemie e cila po reflekton negativisht në ekonomi duke i rekomanduar katër propozime për qeverinë, për të ndihmuar biznesin.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili shprehet se shqetësimet dhe propozimet e saj janë të drejta duke shtuar se, i ka kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin nga vështirësitë e shkaktuara prej pandemisë.
Reagimi i plotë:
Shqetësimet dhe propozimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë janë të drejta. I kam kërkuar qeverisë angazhimin e të gjitha resurseve ekonomike në buxhet për të mbështetur biznesin nga vështirësitë e shkaktuara prej pandemisë.
Qeveria shqiptare duhet të RIALOKOJË fondet e vendosura në buxhet për PPP-të, nga shpenzimet operative si edhe nga investimet publike dhe ti vërë ato në funksion të nevojave shëndetësore dhe ekonomike.
Fondet e shpallura nga qeveria prej 50 milionë euro në total për 3 muaj, për shtresat në nevojë, pagat e biznesit të vogël dhe pagesën e papunësisë, NUK i mbulojnë nevojat e krizës.
Pas shëndetit, ekonomia duhet të jetë prioritet absolut i qeverisë. Shqipëria ka nevojë për masa gjithpërfshirëse dhe jo fjalë. Koha është tani, sepse çdo vonesë do kushtojë shtrenjtë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)