Sociologia ka folur në një lidhje me skype me Fax Neës për pasojat e qëndrimit për një kohë të gjatë të të gjithë familjes në shtëpi për shkak të masave ndaj mospërhapjes së koronavirusit.
Ajo tha se ka filluar një lloj përshtatje me këto regulla por theksoi dy problemet më evidente, atyre të çifteve që kanë mosmarrëveshje dhe fëmijëve të cilëve u ka ndryshuar e gjithë rutina.
“Duket se në familjet shqiptare sicili ka marrë rolin e tij, sot bëhen një muaj në këtë vetëizolim, dhe në këtë situatë them se jemi duke u përshtatur dhe po gjejmë veten më ndryshe. Kemi gjetur disa mekanizma për t’ia dalë mbanë por sfidat e familjes sjellin shpesh grindje dhe mosmarrëveshje e sidomos ato familje që kanë probleme mes tyre. Policia raporton se janë shtuar denoncimet dhe sidomos ato që kanë urdhër mbrojtjeje. Duhet të jenë në vëmendje të institucioneve përkatëse.
Për familjet e tjera që kanë propbleme të zakonshme janë ato me shumë fëmijë apo kurora ku rituali i përditshëm kërkon kujdes ndaj secilit.
Nga një sondazh që kam bërë online, ka rezultuar se rreth 60% e personave që janë përgjigjur për pyetjet rreth ndarjes së punës në familje pranonin se gruaja ka më tepër peshë, ndërsa 20% thonin q ë i ndajnë punët në mënyrë të barabartë ndërsa 20% të tjerë thonin se burrat nuk angazhohen fare ndërsa janë vetëm gratë ato që angazhohen. Edhe karantina nuk e ka thyer mentalitetin për rolet e burrit dhe gruas në familje. Edhe pse janë të gjithë në kushte të barabarta, sërish burri nuk arrin ta thyejë këtë mentalitet. Por ka edhe prindër dhe burra që mbarëvajtjen në shtëpi e kanë marrë edhe si anti-stres. Larja e enëve dhe pastrimi i shtëpisë është një terapi shumë e mirë.
Janë prishur oraret e gjumit për fëmijët, kjo i shton mosaaritjen për të kryer veprimet që kryen në 8 orarëshin. Një mëngjes i nisur në orën 10 është i vonë, duhet të fillojë e njëjta rutinë çdo ditë që të mos devijojmë nga qetësia jonë, deri kur të dalim nga pandemia.
Duhet të lexohet një libër dhe treguar me njëri-tjetrin një lloj historie me eksperienca konkrete. Por jo vetëm leximi nga ana e fëmijëve por edhe pikturat, vizatimet etj”, tha Simo.
(F.GJ/FAXWEB.AL)