Kompania gjermane Mercedez Benz i ka kërkuar një kompanieje shqiptare të sektorit fason prodhimin e 30 milionë maskave për punëtorët.
“Gjermania nuk e ka ndërprerë asnjë sekondë punën dhe ka nevojë për maska për punëtorët, të tilla që të përdoren për kohë të gjatë, përgjatë orarit të punës dhe të jenë disa përdorimshme. Pra të lahen dhe të ripërdoren duke ruajtur të njëjtën aftësi mbrojtëse ndaj koronavirusit”- thotë Florian Zekja, kryetar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesëve të Veshjeve.
Ai i tregon se ka nisur bisedimet me disa kompani gjermane me qëllim që të prodhojë maska pune, pasi maskat kirurgjikale, të cilat janë njëpërdorimshe kërkojnë çertifikim dhe ai në këtë kohë është vështirë për tu marrë.
“Italia për momentin është krejtësisht e bllokuar, prandaj për momentin sytë janë nga Gjermania, që është e rëndësishme se po kërkon vetë të lidhë kontrata prodhimi”- shpjegon Zekja, i cili prej pak ditësh ka nisur një partneritet me Giz Albania për të prodhuar maska pambuku për punonjësit e ujsjellësve dhe të disa bashkive ku organizata gjermane operon.
Zekja thotë se një maskë e ka koston me shumicë 80 lekë dhe materiali është pambuk, i bërë me mbetje copash nga këmishat.
“Në fabrikën time vazhdon puna, por një numër të caktuar punëtorësh e kam angazhuar për të prodhuar maska përderisa kemi kërkesa në tregun e brendshëm dhe presim të zgjerojmë prodhimin në bazë të kontratave që do të nënshkruajmë jashtë kufijve për maska punonjësish”- tregon Zekja për SI.
Ministri Arben Ahmetaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook se ka kontaktuar me ministrat respektivë të Ekonomisë dhe Financave në rajon dhe Europë duke publikuar dhe dy prej letrave që i kanë drejtuar kompanitë e fasonëve.
“Në vazhdën e nismave për mbështetjen e sektorëve të ekonomisë të afektuar si pasojë e COVID-19, i jam drejtuar me një letër zyrtare Ministrave të Ekonomisë të vendeve të rajonit e BE, për të konsideruar mundësinë e bashkëpunimit me kompanitë fason në Shqipëri, për prodhimin e veshjeve të specializuara në mjekësi dhe uniformave të policisë e ushtrisë”- shkruan ministri Ahmetaj.
Kompanitë shqiptare të fasonit, thotë ai, në kushtet kur kontratat e mëparshme me porositësit janë ngadalësuar apo në disa raste ndërprerë, kanë përshtatur ciklin e prodhimit me situatën aktuale, për ta orientuar prodhimin drejt veshjeve dhe këpucëve për mjekët, policinë, ushtrinë dhe gjithë forcat që sot luftojnë në vijën e parë të betejës me armikun e padukshëm.
Bashkëpunimi me vendet partnere, vijon Ahmetaj në postimin e tij, nga njëra anë i jep një frymëmarrje jetike sektorit duke mundësuar vijimin e aktivitetit, dhe nga ana tjetër furnizon nevojat e shteteve që në këtë periudhë shkojnë përtej kapaciteteve të tyre.
“Jam i bindur në angazhimin e fqinjëve dhe partnerëve tanë për ta kthyer këtë në një korsi bashkëpunimi dhe përfitimi reciprok, sepse si çdo luftë, edhe këtë mund ta fitojmë vetëm nëse bëhemi të gjithë bashkë!”- përfundon ai postimin në llogarinë e tij në facebook.