Deputetja Rudia Hajdari në një shkrim në rrjetet sociale është përgjigjur deklarateve të kryeministrit Edi Rama, pasi e akuzoi se jeton në hënë.
Hajdari ka nënvizura se kryeministrit Rama ka kohë që hënë i duket e gjithë Shqipëria sepse është izoluar në anijen e tij kozmike në Surrel dhe nuk sheh e nuk dëgjon se çfarë realisht ndodh në këtë vend
“Z. Rama sot më akuzoi se jetoj në hënë.
Në fakt atij ka kohë që hënë i duket e gjithë Shqipëria sepse është izoluar në anijen e tij kozmike në Surrel dhe nuk sheh e nuk dëgjon se çfarë realisht ndodh në këtë vend.
Nuk e sheh varfërinë që është shtuar, nuk e dëgjon dhimbjen e familjeve të përgjysmuara nga emigrimi, nuk e shikon papunësinë e as nuk do t’ia dijë për korrupsionin dhe arrogancën që po e shkaktojnë.
Në anijen e tij kozmike prej betoni, ku rri me “kozmonautë” të tjerë, këto halle duket sikur i vijnë nga larg, shqiptarët i duken si alienë e ne që jetojmë mes tyre e flasim gjuhën e tyre, sikur jetojmë në hënë.
Keqardhje!”– shkruan Hajdari.