Kryedemokrati Lulzm Basha ka reaguar me një postim në rrjetin social Facebook në lidhje me masat që duhet të marrë qeveria sa i përket situatës pandemike duke i quajtur propozimet e tij 5 pika të emergjencës. Ai ndër të tjera përsërit thirrjen për shtimin e numrit të testimeve si dhe investimet në sektorin e shëndetësisë.
Postimi i plotë
“Vetëm rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të prekurve dhe frenimin e përhapjes së virusit. Izolimi i qytetarëve dhe bllokimi i ekonomisë na kushton qindra herë më shumë se rritja e numrit të testimeve.
5 PIKAT E PLANIT- PLANI I DALJES NGA EMERGJENCA
- SA MË SHUMË TESTIME-Sa më shumë persona të testuar, aq më shpejt identifikohen të prekurit dhe ndalohet përhapja e COVID-19. Bllokimi i ekonomisë dhe popullsia në karantinë kanë kosto shumë më të lartë sesa testimi i qytetarëve.
- GJURMIMI I BURIMIT DHE I KONTAKTEVE- Duhet bërë gjurmim i plotë i burimit dhe i kontakteve të të prekurit. Testimi i mjekëve, policëve e personave në vijën e parë. Kjo kërkon burime njerëzore, trajnimin dhe përdorimin e kapaciteteve lokale shëndetësore.
- MBËSHTETJE PËR SHËNDETËSINË-Të sigurojmë mjetet dhe pajisjet për personelin shëndetësor. Të garantojmë që kapacitetet tona shëndetësore të përballojnë fluksin e personave që kanë nevojë për trajtim.
4.MATJET DHE MENAXHIMI I SITUATËS- Duhet një sistem i saktë i matjes së impaktit që kanë masat e marra. Nëse ne e dimë çfarë impakti kanë ato – ulin, mbajnë konstant apo rrisin numrin e të infektuarve -atëherë do të kemi mundësi të reagojmë menjëherë në menaxhimin e situatës, duke i shtrënguar apo lehtësuar më shumë masat e marra.
5.TRANZICIONI DREJT HAPJES SË EKONOMISË- Rifillimi kërkon përshtatjen me realitetin e ri. Qytetarët dhe bizneset do duhet të mësohen të funksionojnë në kushtet e distancës 1,5 m. Sa më shpejt të adoptohet kjo mënyrë e re aq më shpejt mund të rifillojë ekonomia dhe të reduktohet karantina. Qeveria duhet të mbështesë me fonde dhe lehtësira mënyrën e re të funksionimit të ekonomisë.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/2636345986475860/?t=0