Drejtori i një prej fasonerive në Krujë është shprehur mbrëmjen e sotme se në subjektin e tij vetëm një punonjëse ka rezultuar pozitive me koronavirus, por kjo punonjëse sipas tij nuk është paraqitur fare në punë që prej 16 marsit.
“Më datë 13 mars qeveria dha urdhër për mbylljen e biznesve. Më datë 16 mars ne vijuam punën me kapacitet të reduktuar. Aty punonin gjithsej 200 perona. I pajisëm me maska dhe dezinfektantë. Gjithashtu bëmë një dezinfektim të fabrikës. Ne 15 prill na erdhi ISHP na tha se një punonjëse e juaja është infektuar me covid-19, por ajo punonjëse nuk kishte ardhur në punë që në 16 mars.
U kryen disa testime dhe rezultoi se asnjë punonjës nuk ishte pozitiv. Pra ne përveç rastit të parë nuk kemi asnjë person tjetër të konfirmuar me koronavirus”, u shpreh drejtori i fasonerisë “Shima shpk”. I pyetur nga Eni Vasili nëse e ai vetë e kishte bërë testin për covid-19, drejtori Shima tha se ai e kishte bërë testin në spital privat dhe kishte dalë 100% negativ.
“Unë e kam bërë analizën në mënyrë private dhe kam dalë 100% negativ”, u shpreh ai, ndërsa moderatorja e habitur e pyeti se ku bëheshin analizat në mënyrë private, pasi zyrtarisht është komunikuar se analizat për covid-19 bëhen vetëm në shtet.
“Në spital privat”, u shpreh drejtori i fasonerisë “Shima shpk” në Krujë.