Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “PROEKSPORT ALBANIA”, që përfshin në grupin e saj numrin më të madh të rreth 762 subjekteve që janë aktualisht të rregjistruara në rregjistrat e shtetit, ka reaguar lidhur me rastet pozitive që janë zbuluar me Covid 19 në këtë sektor. Sipas “ProEksport Albania” nuk mund të penalizohet një sektor i gjithë për fajin e disa subjekteve që nuk kanë respektuar rregullat.
Ditët e fundit, në një numër të kufizuar ndërmarrjesh të sektorit të rregjimit të përpunimit aktiv, janë vërejtuar raste të mosplotësimit të palejueshëm të kushteve dhe të protokolleve të mbrojtjes së shëndetit të punëmarrësve dhe të punëdhënësve;
Shoqata “ProEksport Albania”, që ka një komunikim të përditshëm me anëtarësinë, ka tërhequr vëmendjen për respektimin rrigoroz të protokollit të shëndetit, një akt që e kanë hartuar dhe miratuar vetë fasonistët dhe drejtuesit e ndërmarrjeve tona; Shoqata ‘ProEksport Albania” ka qënë në një komunikim të vazhdueshëm dhe thuajse të përditshëm me institucionet shtetërore si ISHSH, ISHP, DPT etj që të koordinonte veprimtarinë e saj dhe të anëtarëve të saj me këto institucione. Ne kemi marrë informacion të përditshëm nga këto institucione dhe ua kemi shpërndarë anëtarëve, për t’i ndërgjegjësuar për kushtet dhe rreziqet që paraqet puna në sektorin tonë.
Kompanitë shqiptare të fasonit, në kushtet kur kontratat e mëparshme me porositësit janë ngadalësuar apo në disa raste ndërprerë, kanë filluar të përshtatin tipologjinë e prodhimit me situatën aktuale, për ta orientuar prodhimin drejt veshjeve dhe këpucëve për mjekësinë, policinë, ushtrinë etj., për të minimizuar humbjet që vijnë nga situata e pandemisë së COVID-19.
Në tërësinë e tyre kompanitë që punojnë (jo të gjitha kompanitë kanë punë dhe vijojnë të marrin porosi nga kontraktorët e tyre kryesore) kanë respektuar kushtet e kërkuara nga ligji dhe Aktet Normative të Qeverisë, duke realizuar mbrojtjen e punonjësve dhe të stafeve administrative, që janë në të njëjtat kushte me punonjësit dhe punojnë në të njëjtat mjedise me ta.
Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “PROEKSPORT ALBANIA (PEA) shpreh indinjatën e saj lidhur mënyrën se si grupe të caktuar interesi, përfshirë edhe median e lirë, e trajtojnë këtë dukuri. Mijërat e punëmarrësve dhe punëdhënësve që punojnë në këto kushte, për të mbajtur në këmbë sektorin, për të respektuar kontratat dhe për të ndihmuar familjet shqiptare, janë të vetëdijshme për rrezikun dhe kanë investuar dhe investojnë në këtë drejtim.
Për disa kompani në Krujë, në Gjirokastër apo Elbasan, që nuk i janë përgjigjur- jo vetëm kërkesës së Shoqatës,- por as legjislacionit aktual, është kërkuar, edhe nga ana jonë që, të mbyllin veprimtarinë e tyre dhe institucionet e kontrollit të ushtrojnë të gjithë pushtetin e tyre ligjor për t’i detyruar kompanitë të plotësojnë protokollin e mbrojtjes së shëndetit, ose në të kundër të mbyllen ligjërisht.
Sulmet në grup, që i bëhen sektorit, duke mos dalluar aspak punën e bërë dhe investimet e realizuara, nuk i shërbejnë askujt. Institucionet që pëmendëm, i kanë të gjitha mundësitë, kanë edhe gatishmërinë e bizneseve tona për të kontrolluar, pa panik dhe pa asnjë kufizim, të gjitha subjektet, që nuk respektojnë rregullat e shkruara. Ne jemi të shqetësuaar për kontrolle pa objekt kontrolli, nga më shumë se një institucion kontrolli, (deri edhe në pesëmbëdhjetë vetë në një grup kontrolli, si në disa qytete), që ushtrojnë një presion të panevojshëm ndaj biznesve, në ndërkohë që, duhet të ndikojnë në përmirësimin e kushteve të punës, sipas specifikave të kohës që kalojmë dhe të bizneseve që zhvillojmë. Ne shpresojmë shumë që të mos etiketohen në grup bizneset e këtij sektori, por të investigohet dhe të gjenden ata që nuk respektojnë ligjin. Ata duhet të penalizohen, pa mëdyshje!