Paketat financiare në gjithë botën në këtë kohë pandemie kanë qenë të fokusuara tek kompensimi i shtresave të dobëta, të punësuarve, apo të vetëpunësuarve. Shqipëria ka miratuar dy paketa. E para për të punësuarit në bizneset e vogla që hynin në listën e aktiviteteve të mbyllura nga Ministria e Shëndetësisë, nga e cila parashikohet të përfitojnë rreth 60 mijë persona. E dyta, me e gjerë ka katër masa përfituesish, nga e cila pritet të përfitojnë rreth 176 mijë persona, ku katër grupet përfituese janë:
Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ urdhrave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë.
Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/urdhrave të MSHMS deri në datën 10 Prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 Prill 2020.
Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. (Nuk përfshihen punonjësit përfitues sipas pikës 2)
Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listepagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese.
Aplikimi bëhet nga i vetëpunësuari apo nga punëdhënësi (në rastin kur ka më shumë se një punonjës). Por shumë administratorë, edhe pse punonjësit e tyre bëjnë pjesë në listën e përfituesve sipas kritereve të mësipërm, nuk po e bëjnë aplikimin për punonjësit e tyre. Këta të fundit nuk po e gjejnë dot të drejtën e tyre. Dy ditë më parë, si ministrja e Financave, Anila Denaj, ashtu dhe drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, u bënë thirrje publike punonjësve që të ankoheshin direkt në faqen e tatimeve si individë, në rastet kur konsiderojnë se mund të jenë përfitues të ndihmës financiare Paketa 2-te sipas VKM nr.305 datë 16.04.2020, por subjekti ku janë të punësuar nuk ka kryer aplikimin për ta.Sipas të dhënave të publikuara nga tatimet deri në datën 30 prill, për paketën e dytë kishin aplikuar gjithsej 31 mijë NIPT-e për rreth 94 mijë individë, ose rreth 53% e punonjësve që janë planfikuar për të përfituar.
Për 81 mijë punonjës ishte miratuar kërkesa, për rreth 11 mijë është në proces dhe vetëm për 2,500 është refuzuar. Ndërsa një kategori tjetër punëdhënësish, po kërkojnë t’ua marrin punonjësve ndihmën financiare, me argumentin se ata kanë qenë në punë.
“Këto ditë kam marrë dhjetëra telefonata nga persona të panjohur (punonjës), që më pyesin: 40 mijë lekëshi që na është hedhur në bankë, është për ne apo për pronarin? Pasi këta të fundit i bëjnë presion për t’i marrë 40 mijë lekëshin. Janë kryesisht punonjes të furrave të bukës, të cilët janë paguar nga pronari për punën që kanë bërë këtë periudhë, pasi siç e dimë, furrat kanë qenë aktivitet i hapur”, thotë Eltoni, ekonomist. Punonjësit i janë ankuar dhe ministres së Financave Anila denaj, e cila u ka kthyer përgjigje se këtë pjesë duhet ta zgjidhin me punëdhënësin.