Gjatë ditës së djeshme gazetari Denis Dyrnjaja përmes një postimi në Facebook, i cili u shoqërua me komente të shumta, hidhte dyshime mbi bamirësitë e bëra nga imami Elvis Naçi. Dyrnjaja shkruante në statusin e tij, se nuk ka sesi një imam të bëhet pronar i një spitali privat, me lekët e dhëna nga shqiptarët, dhe për këtë sipas tij duhet të nisnin dhe hetimet nga ana e prokurorisë, pasi ka diçka që kërcet në të gjithë historinë.
Çfarë shkruante Dyrnjaja në reagimin e tij: Një Imam Babaxhan që po bën hatanë! Loja publike me fatkeqësinë dhe pamundësinë e të varfërve, është loja më spekulative në mos më e ndyrë shpirtërore dhe njerëzore. Një imam po bën një fushatë që në dukje mbart bamirësinë e nëse vërtetë është e tillë zoti ia njohtë. Herë pas here bëhen publike donacione për blerje shtëpishë, apo akordime pensionesh për familje të varfëra që janë asgjë në raport me miliona euro donacione që shqiptarët zemërbardhë dhurojnë për bashkëatdhetarët e pamundur.
Këto raste bëhen publike që përmes tyre njerëzit që dhurojnë kontribute të vazhdojnë të kontribuojnë pa ditur se çfarë bëhet me paratë e bamirësisë së tyre. Dhe ajo që kërcet dhe tregon realitetin e maskuar është se imami bamirës një ditë të bukur na u bë edhe pronar i madh, se bleu një spital privat.
Në rutinën e informacioneve të ditës më ra në sy edhe një lajm ku imami bamirës ndërsa bën qokën e radhës publike të bamirësisë e fton një grua, që ishte në kushte varfërie, të shkonte në spitalin privat dhe sqaronte se atje vizitat janë me pagesë, por ka dhe raste që mund të bëhen falas.
Ajo që më bëri më shumë përshtypje në këtë histori, është fakti sesi një imam shndërrohet në pronar spitali, pa patur vetë lekë por përmes donacioneve të shqiptarëve. Pra pyetja që lind natyrshëm është: A do dhuronin paratë e tyre njerëzit që të bënin pronar dikë? Praktikisht ka diçka që nuk shkon. Ose aksionerë të këtij spitali duhet të jenë donatorët të cilët kanë dhuruar me zemër paratë e tyre për bamirësi, ose spitali që është blerë me paratë e tyre nga një fondacion bamirës duhet të ofrojë shërbime falas.
Ndryshe i bie që ky imami po na del super tregtar dhe menaxher me paratë e të tjerëve, pra një xhongler tipik si ata që kemi parë shpesh me mashtrime firmash piramidale, apo skema fajdesh, thjeshtë ky ka fatin të ketë si maskkm besimin në zot, prej besimit ndershmërinë e prezumuar e prej saj bamirësinë e paramenduar. Pra ky “Imam Babaxhan” me paratë e të tjerëve, po bën edhe famë edhe pasuri.
Jam i sigurt që familjet në nevojë që kanë përfituar janë kundër kësaj që them, madje mund të marr edhe mallkimin e tyre, por jam po aq i bindur se në këtë aferë me sfond bamirësie janë më shumë ata që janë mashtruar. Koha do ta tregojë nëse prokuroria do të hetojë, ndryshe zoti të më ndjejë nëse i kam hyrë në hak kujdo.
……………
Por nuk ka vonuar as përgjigja e Naçit, i cili shkruan se do të lutet te Zoti, për çdo shqiptar që e ofendon apo e përgojon atë, duke vënë në dyshim veprat e mira që bëhen për shqiptarët.
“Jam më i vendosur se kurrë se çdo vllai Shqiptare që më ofendon, përgojon dhe shpif ndaj meje do t’i përgjigjem me lutje Zotit për të dhe vepra të mira për Shqiptarinë. Zot të qofshim falë. Amin”, shkruan Naçi në një reagim të pazakontë në rrjetet sociale. (E.K/Faxweb.al)