Fax News ka zbardhur axhendën e Samitit të Zagrebit që do te zhvillohet online të mërkurën në 6 maji. Udhëheqësit e Samitit BE-Ballkan Perëndimor do të riafirmojnë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe angazhimin për të mbështetur vlerat dhe parimet evropiane.
Edhe situatës aktuale me Covid-19 pritet ti kushtohet vëmendje në Samitin që do të zhvillohet online për shkak të situatës së krijuar me pandeminë. Pritet që të shkëmbehen mendime mbi fazën e re të bashkëpunimit për të trajtuar ndikimin socio-ekonomik të krizës me pandeminë Covid-19.
Po ashtu në mbledhjen e Samitit do të diskutohet edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe mënyrën e menaxhimit më të mirë të sfidave të sigurisë.
Samiti pritet të bashkojë përmes teknologjisë krerët e shteteve nga 27 vende anëtare të BE-së me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. (Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut).
Samiti do të kryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, si përfaqësues i Bashkimit Europian së bashku me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Vor der Leyen. Samiti BE-Ballkani Perëndimor ishte planifikuar që të mbahej në datat 6-7 maji në Zagreb të Kroacisë.