Shoferët e kamionëve në Vlorë janë ngritur në pròtestë duke i rënë borive në rrugët e Vlorës për tu rikthyer në punë. Për shkak të pándemisë, porti qëndron i mbyllur prej tre muajsh dhe shoferët detyrohen të shkojnë deri në Durrës e për tu kthyer sërish në Vlorë.
Duke folur për “Fax News”, ata kërkojnë që e gjithë kjo të marrë fund pasi porti i Vlorës mund të hapet dhe tragetet të shkojnë njësoj si në Durrës. Ankesat vijnë nga 50-60 kamionistë ndërkohë që tregtarët detyrohen të paguajnë dy herë taksa.
“Nuk duhet të kalojmë vetëm nga Durrësi, duhet të kalojmë edhe nga Vlora. Tarifat që operojnë nga Durrësi me Vlorën kanë shumë ndryshim, janë gati thuajse dyfish, vonesat janë se duhet të zbres në Durrës e të vij në Vlorë. Eksporti ka rënë, ndikon edhe situata. Por problemi kryesor është kush është arsyeja. Del Manastirliu se nuk e ka idenë kush e vendosur dhe kthehet prap si në kohën e Enver Hoxhës. Këto janë halle që vazhdojnë tek populli jonë, kemi një jetë që i tërheqim pas kurrizit, i kishin prindërit tanë, erdhën tek neve. Po ua kalojmë fëmijëve tanë”, tha një shofer.
“Ta marrë vesh qeveria që edhe Vlora ka port shumë të mirë, përse të mos punojmë me portin e Vlorës, kemi 3 muaj që vemi në Durrës. Përse ta bëjmë, të vijë trageti në Vlorë, i ka të gjitha kushtet, duam të ushqehemi. Unë kam 11 kamiona, kemi ushqime, kemi njerëzit që punojnë. Pse të shkojmë në Durrës të paguajmë dy herë taksa, mund të punojmë këtu”, u shpreh një tjetër shofer.