Pas kërkesës së Përfaqësuesve të Opozitës në Këshillin Politik Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit për mbledhjen sa më parë të të Këshillit Politik, ka reaguar Damian Gjiknuri.
Gjiknuri ka përshëndetur qendrimin e opozitës dhe ka thërritur një mbledhje për Këshillin Poltik me datën 11 në orën 10 online.
Po ashtu Gjiknuri shprehet optimist se duke parë gadishmërinë për të vazhduar procesin gjithëpërfshirës të dialogut dhe diskutimin në kuadër të tryezës së Këshillit Politik, brenda muajit maj të gjehet edhe dakordësia e plotë për draftin.
“Pasi u njohëm përmes medias me letrën tuaj, shprehim vlerësimin tonë për gadishmërinë e shprehur prej jush për të rifilluar punën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.
Ky qëndrim i ri i juaji, duhet përshëndetur si një reflektim serioz në raport me deklarimet tuaja publike të bëra ditët e fundit dhe ne e përshëndesim pa rezervë.
Duke shprehur plotësisht gadishmërinë tonë për të vazhduar procesin gjithëpërfshirës të dialogut dhe diskutimin në kuadër të tryezës së Këshillit Politik, shprehim edhe urimin tonë që përmes punës së përbashkët, brenda muajit maj të gjejmë edhe dakordësinë e plotë për draftin që do t’i shkojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë.
Ne konfirmojmë praninë në mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik,ditën e hënë, datë 11.05.2020, ora 10:00, të cilën në kushtet e diktuara nga COVID-19, mundësisht ta zhvillojmë përmes hapësirës digjitale.”- thekson Gjiknuri.