Pas më shumë se 7 orë të shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier, lihen të lirë 3 fermerët nga fshati Vilmisht i Bashkise Roskovec.
Kreu i Sindikatës se fermerëve denoncon mbajtjen e tyre në komisariatin e Fierit duke e konsideruar si një veprim të padrejtë.
Luli Cela, Geni Ziu dhe Bledi Metushi janë lënë të lirë ndërkohë që kujtojmë se ditën e sotme fermerët prisnin takim me ministrin Bledi Çuçi janë shoqëruar për në pòlici. Fermerët mësuan se do të vinte ministri dhe u mblodhën në një pikë eksporti për të biseduar në lidhje me dëmet që kanë pësuar dhe të bisedonin për problemet e tyre.
Kreu i Sindikatës Eduart Sharka zbuloi gjithçka ndodhi duke thënë: “U njoftuan fermerët e zonës që do të vinte ministri i Bujqësisë. Nuk e di nga kush u njoftuan, por fermerët vajtën të shfaqnin shqetësimin se kanë hedhur produktet e tyre dhe ti thonin ministrit se janë dëmtuar pasi ky pretendon që fermerët nuk janë dëmtuar fare nga koronavirusi. E kishte organizuar ai takimin, fermerët vajtën në pritje tek vendi i takimit, ministri u vonua për gati 1 orë dhe kur doli nuk donte të fliste me ta, i hipi makinës dhe iku. Anëtarët e sindikatës u shoqëruan në komisariat për disa orë për verifikim. Ku e dinin fermerët që do vinte ministri? Ishte njoftimi i tij.
Ndoshta është ankuar ministri, është e paqartë historia, kjo ishte e gjitha. Për 7 orë qëndruan në komisariat. Ishin të gjithë anëtarët e sindikatës të gatshëm që të vinin para komisariatit sepse është ndalim i padrejtë se këta fermerë kanë punë tek serat për të ushqyer familjet e tyre, nuk kishin përse të vinin këtu. Ishin për një takim ku ishin të ftuar, nuk kanë bërë asnjë shkelje të ligjit dhe nuk ishte korrekte. Në rast se këta fermerë dhe ministri i Bujqësisë do operojë me këtë stil dhe të takojë me këta fermerë, jo me fermerë të vërtetë.
Fermerët e vërtetë janë anëtarët e sindikatës dhe të njohë problemet reale. Në rast se do vazhdojë kështu, nuk shkon. Sindikata është e përgatitur që të nxjerrë të vërtetën dhe të tregojë që janë në vështirësi, po falimentojnë, po shesin nën kosto, është ulur tregu. Në të gjithë qeveritë e botës nxjerrin paketa speciale, vetëm në Shqipëri fermerët kanë pësuar dëme, në vend që të quhen heronj, të duartrokiten, minimum që duhet të bëjë shoqëria sepse janë në vijën e parë, nuk po pyet kush nëse cënohen nga virusi apo jo. Fermerët ndalohen se i fton minstri në takim pastaj nuk do ti takojë, ndërron mendje.” (Faxweb.al)