Ende pa u grumbulluar mirë qytetarët, policia ka ushtruar dhunë dhe ka futur në makina disa aktivistë që kishin dalë për të protestuar në sheshin Skënderbej. Mes personave të shoqëruar me dhunë janë dhe Altin Goxhaj dhe aktivisti Arben Kola.
Siç shihet dhe nga pamjet e transmetuara nga Fax News një zonjë nuk është ndjerë mirë dhe ka mbetur e shtrirë në mes të rrugës, dhe është tërhequr zvarrë nga forcat e policisë. Protesta e sotme ishte nën moton kundër diktaturës, dhe shpërndarja e saj ndodhi ende pa nisur edhe orari zyrtar që ishte ora 12;00.
Organizatorët e kësaj proteste kishin kërkuar leje në Policinë e Tiranës, e cila iu ishte refuzuar, me pretendimin se nuk lejohen grumbullimet masive për shkak të gjendjes së pandemisë, dhe të fatkeqësisë natyrore, që është shtyrë deri në muajin Qershor. E njëjta skenë ndodhi dhe në datën 7 Maj, ku disa persona u shoqëruan me dhunë nga ana e policisë, për shkak se po protestonin paqësisht në shesh.