Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dalë sot në protestë përpara SPAK, dhe kanë parashtruar kërkesat e tyre, ndërsa thonë se gjatë ditës së shembjes së Teatrit është kryer një tentativë vrásje ndaj aktistëve. Regjisori Robert Budina tha se kanë marrë mesazhe kèrcënuese, dhe se vazhdimisht në këto ditë po përballen me presion psikologjik.
“Në TK ishte një tentativë për vrásje, të hetohet. Politika na ka vjedhur institucionet e drejtësinë, për dy vite kemi protestuar si qytetarë të denjë, u bëjmë thirrje prokurorëve që të japin shkëndijë shprese. Jemi të vendosur të çojmë deri në fund betejën”, shprehet Budina, ndërkohë që pedagogu Goci tha se çështja e Teatrit Kombëtar është thellësisht politike.
“Jemi këtu sepse çështja e TK është politikë, shembja e Teatrit është përgjegjësi politike edhe e ndër- kombëtarëve. Është çështje politike pasi mbi trupin tonë u vunë fadroma, vijmë në protestë në emër të çdo qytetari shqiptar. Kemi bërë dy denoncime në SPAK, të merren masa, protesta është politike pasi u cënuan të drejtat e qytetarëve Nëse nuk ka drejtësi do kërkohet dorëheqja e Ramës e Veliaj. Veliaj është nën hetim duhet të pezullohet nga puna. TK është nën hetim, është skenë krimi, në ambientet e tij nuk mund të kryhen punime”, tha Goci.
Ndërkohë që juristja Adriana Kalaja tha se Veliaj dhe Mazniku kanë kryer një vepër penale, dhe prokurorët duhet të hetojnë të gjitha dosjet.
“Veliaj e Mazniku kanë kryer një vepër penale, sekuestro preventive duhet te ishte bërë para shembjes. Prokurorët të sekuestrojnë të gjithë dosjet, kërkesat janë bërë në vazhdën e dy kallëzimeve. Po përgatiten edhe dy dosje të tjera penale. Po përgatitet një dosje për ‘Vrásje mbetur në tentativë'”, u shpreh Kalaja.
Discussion about this post