Një grup punonjësish të fasonerisë Fllake janë mbledhur sot pranë Drejtorisë Rajonale e Tatimeve në Durrës ku kanë kërkuar pagën e luftës, por përgjigja që morën nga drejtoresha e këtij institucioni ishte refuzim aplikimi.
Pas takimit që zhvilluan me drejtoreshën Dalina Bucaj, përgjigja përfundimtare për këto punonjëse të firmës së Konfeksioneve ka qenë negative, pra nuk e përfitojnë pagën e luftës.
Të revoltuara, punonjëset kanë dalë sërish përpara mediave për të ngritur problemin e tyre publikisht, pasi tashmë nuk dinë ku të drejtohen.
“Pronarja jonë ka aplikuar 5 herë, 4 herë të refuzuara dhe një herë e miratuar. Përsë na del kjo e refuzuar sot kur ne jemi të miratuar 132 veta. Ku të shkojmë, ku ta kërkojmë të drejtën tonë? Kur drejtoresha mundohet të na përcjellë me një përgjigje shabllon, ku ta kërkojmë? Të shkojmë te z.kryeministër?”, janë pyetjet që ngrenë gratë e shqetësuara.
Ato këmbëngulin në marrjen e një përgjigjeje, teksa theksojnë se janë mbledhur në mënyrë krejt paqësore dhe pa cenuar punën e askujt.
Problemet me pagën e luftës në fasoneritë e Durrësit janë të shumta. Nga dita në ditë, punonjëse të firmave të ndryshme protestojnë pasi nuk e kanë marrë pagën e luftës të premtuar nga qeveria, megjithëse siç thonë ato janë përfituese.