Tenderi për identifikimin biometrik dhe zgjedhjen e anëtarëve të KQZ ka futur sërish në ngërç Reformën Zgjedhore. Opozita ka kërkuar që anëtarët të zgjidhen me formulën e organeve të reja të drejtësisë ndërsa mazhoranca e sheh si përpjekje për tu rikthyer tek KQZ aktuale. Themeluesi i Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj e ka cilësuar këtë veprim të opozitës jashtëparlamentare si “ruajtës” të status kuosë për të pasur të njëjtët komisionerë politikë.
Duke folur për emisionin “Pasdite me Xhaxhiun” në Fax News, tha: “Mendoj se ajo marrëveshje që u arrit, kam shumë shpresë që nuk do të konkretizohet në parlament. Nuk ka asgjë të re. e vetmja gjë që imponoi është se edhe Komisionet Zgjedhore dhe grupet e numërimit që është kërkesë 13-vjecare e OSBE-ODIHR-it të bëhen të pavarura sepse komisionerët politikë zgjasin procesin dhe e vetmja gjë që mund të bëjnë këta komisionerë është të vjedhin votat e partive të vogla në tavolinë. Për mua, kur PD u rikthyer në tryezë, ishte një ditë e gëzuar se detyrimi për të hyrë në sistem do ta përdorte për ta minuar sistemin. Jo vetëm që nuk u bë promotore e ndryshimit por u bë ruajtëse e status kuosë me kërkesën që edhe komisionerët ti kemi politik siç i kemi pasur duke ia kaluar edhe vetë Edi Ramës. Për mua ishte një gjë e trishtë.”
Ndër të tjera, theksoi se në Shqipëri duhet të ndryshojë sistemi politik ku vendimet i marrin 2-3 persona. Topollaj bëri thirrje njerëzve që të kërkojnë votën e tyre, e cila në zgjedhjet e ardhshme, sipas tij duhet të dalë kundër dy partive të mëdha.
“Bindja Demokratike është dashur të ofrohet për shoqërinë si mjeti që duhet të ndryshonte një sistem që e kemi quajtur i kryetarokracisë ku nuk ndodh gjë tjetër veçse kemi ndërtuar një sistem të tillë që në Shqipëri të gjithë vendimet merren nga 2-3 njerëz gjithsej. Kur themi që ka nevojë që kjo të ndryshojë, është pikërisht sistemi politik. Është një sistem që prodhon kriza të herëpashershme. Këtu partitë politike, ato kryesore janë burim i forcës dhe politikanët i konsiderojnë si prona personale dhe janë gati të bëjnë çdo gjë ti mbajnë.
Pra pasja e pushteteve nuk kalon nga populli, por vijnë nga partitë kryesore. Kur shprehemi që do të hyjmë në çdo palë zgjedhje, nuk është vetëm qëndrimi jonë linear që koha BD i dha të drejtë se nuk ka mënyrë më të mirë për të hyrë në politikë veçse zgjedhjeve. Ka ardhur koha që secili që do të kontribuojë në ndryshim është të dalë në fushë dhe të kërkojë vota. Votat kësaj radhe duhet të shkojnë kundër dy partive të mëdha”, tha Topollaj.
Për kryeministrin Rama thotë se i ka të gjithë pushtetet në dorë dhe askush nuk do të donte ta linte me dëshirë postin e tij, por shprehet i kënaqur për reagimin e faktorit ndërkombëtar.
“Nuk mendoj se Rama është përfaqësues i ndryshimit, është e kundërta. Ai vjen si më i madhi i këtij sistemi, sot ka të gjithë pushtetet dhe askush nuk do të donte ta linte me dëshirë por janë faktorët politikë dhe shoqërorë që ndoshta mund ta çojnë që edhe Edi Rama të ndryshojë pozitën e tij. Kuptoj me kënaqësi që faktori ndërkombëtar ka filluar ta shohë Reformën Zgjedhore si një çelës që mund të ndryshojë gjërat dhe sistemin politik në Shqipëri. Fakti që ka propozuar një sistem danez është shenjë e jashtëzakonshme”, tha Fabian Topollaj.(A.M/Faxweb.al)