Turqia hartoi një plan për një pushtim të mundshëm të Greqisë të koduar me emrin e një komandanti ushtarak turk të shekullit të 11-të, Çaka Bey, njoftoi Nordic Monitor duke cituar dokumentet sekrete.
Dokumentet ishin pjesë e një prezantimi në PowerPoint që supozohej se ishte planifikuar nga stafi i përgjithshëm turk për rishikimin dhe planifikimin e brendshëm. Titulli i këtij projekti ishte “TSK Çakabey Harekât Planlama Direktifi” (Forcat e Armatosura Turke Çakabey Direktiva e Planifikimit të Operacionit) dhe daton nga qershori i vitit 2014.
Gjithashtu, në të njëjtin dokument përfshihen dhe planet për të pushtuar Armeninë, operacioni në këtë rast titullohej “TSK Altay Harekât Planlama Direktifi”, i cili rezulton i datës 15 gusht 2000.
Besohet se planet ishin përgatitur si një emergjencë në lidhje me zhvillimet në Siri dhe ruajtjen interesave gjeopolitike të Turqisë në rajon.
Dokumentet u shkëmbyen nga komandantët e lartë të stafit të përgjithshëm përmes një sistemi të brendshëm të sigurt të postës elektronike, raportoi portali i lajmeve. Ato duket se janë zbuluar aksidentalisht në një dosje të çështjeve gjyqësore në Ankara, të cilën prokurori Serdar Coşkun e dorëzoi në gjykatë si pjesë e një hetimi për grushtin ushtarak të dështuar kundër Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në korrik 2016.