Zëdhënësi i komisionit evropian Peter Stano ka reaguar përmes rrjetit social Tëitter në lidhje me disa akuza për punën e BE-së në Shqipëri.
Ky reagim vjen pas akuzave të ditës së djeshme të ngritura nga ”New Europe” në lidhje me punën e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqiperi dhe kryesisht me kreun e ketij delegacioni ambasadorin Soreca.
Stano pohon se puna e delegacionit evropian në Tiranë është vijimësi e agjendës së Brukselit dhe se ambasadori Soreca ka kryer një punë të shkëlqyer në lidhje me reformën elektorale.
“Akuzat në disa media që vejnë në pikëpyetje punën e
delegacionit të BE-së në Shqipëri janë të pabaza.
Qëndrimet e shprehura nga delegacioni i BE në Tiranë janë qëndrime të BE-së. Ne mbështesim plotësisht punën e saj të shkëlqyer duke përfshirë edhe reformën elektorale drejtuar nga Ambasadori Soreca dhe ekipi i tij për ta afruar Shqiperinë me Bashkimin Europian”, shkruan Stano.
Kujtojmë se në artikullin e djeshëm New Europe ka akuzuar delegacionin e Brukselit në Shqipëri ka një rekord negativ për shkak të keqinformimit të Brukselit për situatën reale në Shqipëri.
Marrëdhënia e veçantë e zhvilluar mes shefes së mëparshme, Romana Vlahutin, dhe Edi Ramës rezultuan që BE-ja të mos informohej siç duhej për situatën reale në terren në lidhje me prodhimin masiv dhe tregtinë e drogës në Shqipëri, një fakt që e ka shndërruar Shqipërinë në Kolumbi të Evropës.
Praktika e derimëtanishme e delegacionit të BE për të siguruar informacione të reduktuara dhe shpesh të pavërteta për Brukselin, vazhdon edhe nën drejtimin e ri.
Delegacioni i BE-së i Tiranës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Veprimtarisë së Jashtme të Evropës janë kritikuar rregullisht nga Shtetet Anëtare, të cilat me ambasadat e tyre në Tiranë marrin një pamje objektive të situatës, dhe jo raportet rozë që misioni i BE dërgon rregullisht për Shqipërinë.