Gazetari Ilir Demalia shkruan se tashmë është më shumë se kurrë e qartë se pse u kërkua me ngulm largimi i Albin Kurtit nga qeveria e Kosovës, pasi ishte i vetmi që pengonte marrëveshjen me Serbinë, që pritet të arrihet tashmë në SHBA.
“Tashmë është i qartë largimi i domosdoshëm i Albin Kurtit, pengonte marveshjen në “ Shtëpinë e Bardhë ” Trump, Pompeu, Grenell, Thaçi, Vuçiç, E gëzofshi shqiptar!”, shkruan Demalia në një postim në rrjetet sociale. Kosova dhe Serbia do të takohen më 27 qershor në Uashington, ndërkohë që Thaçi tha disa ditë më parë se SHBA-ja ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen e Kosovës.
“Udhëheqësia dhe mbështetja e SHBA-së ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen prosperuese të Kosovës. Prandaj, mirëpres iniciativën për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, nën udhëheqësin Richard Grenell, të dërguarit të presidentit, Donald Trump”, tha Thaçi në një postim në Twitter.
Në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti. Ndërkaq, nga Qeveria e Serbisë thanë për REL që përbërja e delegacionit serb ende nuk është vendosur akoma. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. SHBA-ja emëroi Richard Grenell si të dërguar të saj në këtë proces në tetorin e vitit 2019.
Ky dialog u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Kosova vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë u pasua me reciprocitet, por në fillim të muajit qershor, qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti hoqi reciprocitetin, me qëllim që t’i jepej shans rinisjes së dialogut.