Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Arben Shkodra ka dhënë një intervistë për gazetaren e Fax News Mirilda Tili, për gjendjen e biznesit pas pandemisë, dhe numrit të i ulët të bizneseve që kanë aplikuar për garancinë sovrane. Shkodra tha se ndihma e qeverisë me garancinë sovrane për kredi nuk ishte e mjaftueshme, dhe nuk mund të merret për pagat, sa kohë që kompanitë nuk punojnë dhe nuk nxjerrin fitime.
“Jemi 4 muaj pas masave kufizuese të qeverisë, dhe ne po flasim për tema që tashmë duhet të ishin tejkaluar. Që të gjithë ne, organizatat e biznesit, kemi propozuar kërkesat tona, dhe efektet që pandemia mund të jepte, ne kemi bërë dy herë propozime, pas sondazheve me ndërmarrjet prodhuese, na u tha në fillim që qeveria do të merrej me biznesin e vogël, dhe ne e kemi mirëkuptuar këtë.
U premtua që do kishte instrumenta bankarë që do të ndihmonin ekonominë, ne nuk kemi pse të kërkojmë ndihmë nga qeveria, por të marrë masa për pasojat e vendimeve kufizuese që ka marrë. Ndihma nuk ishte për fajin e sipërmarrjes, por për shkak të modeleve që u ndoqën, dhe për këtë duhet të marrë parasysh dëmet që mund ti shkaktojë biznesit. Ne nuk lypim asgjë që nuk është e padrejtë, qeveria duhet ti përmbahej Kushtetutës, që parashikon detyrat e saj në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme.
Qeveria vazhdon që të bëjë syrin qorr dhe veshin shurdh ndaj propozimeve tona, ne e pamë me shumë interes që qeveria nisi të nxirrte instrumenta për të ardhur në ndihmë të sipërmarrjes. Nuk ka bankë që të jep të ardhura në një kohë kur ka biznese që nuk po eksportonin dot malrrat e tyre, po ashtu kishte biznese që kanë pasur kredi të mëparshme, dhe prandaj instumenti i garancisë nuk mund të funksiononte. Nuk ka bankë që të jep kredinë në një kohë kur ti je i rrezikuar”, u shpreh mes të tjerave Shkodra.