Një tjetër viktimë është shënuar nga COVID-19 në spitalin e Infektivit. Bëhet me dije se një i moshuar rreth 90 vjeç ka humbur jetën, ndërkohë që vuante nga disa sëmundje.
Ministria e Shëndetësisë njofton se një pacient 90 vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në spitalin infektiv në QSUT, i prekur nga COVID19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese silikoza, hipertension.
Nga fillimi i epidemisë, 48 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19, pavarësisht përpjekjeve të stafeve mjekësore dhe terapive të mjekimit.
Kujtojmë se sot një 34-vjeçare ka humbur jetën në spitalin Infektiv në Tiranë e prekur me Covid 19, që është mosha më e re që prej fillimit të pandemisë. Sipas Ministrisë e reja nga Librazhdi vuante dhe nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni, ndërsa ndodhej prej disa ditësh në gjendje të rëndë e intubuar.
”Një humbje jete ka ndodhur mëngjesin e sotëm. Një 34 vjeçare nga Librazhdi e cila vuante nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni, e konfirmuar me Covid19, e shtruar në shërbimin infektiv prej disa ditësh, në gjendje të rëndë dhe e intubuar, pavarësisht përkujdesjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerës”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, në deklaratën e përditshme.
Vijon të ketë sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive, ndërkohë që në total në 24 orët e fundit janë shënuar 67 raste të reja, 15 më shumë se dje. Por lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 22 qytetarë, mes tyre 7 mjekë dhe infermierë, duke e çuar në 1217 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.