Në punimet e seancës së sotme u vu re një përplasje gati fizike mes deputetëve të opozitës parlamentare, ku protagonist janë Ralf Gjoni dhe Halit Valteri ndërsa ndërhynë ligjvënës të tjerë ku qetësuan situatën duke nxjerrë nga salla Valterin.
Ajo çfarë provohet nga një skenë e tillë është fakti se jo vetëm ligjvënës të tillë nuk mund të konsiderohen opozitë, teksa të bën të mendosh se kur ka ndodhur kjo midis aleatëve e aq më tepër të të njëjtit krahë.
Nuk u mësua se çfarë ndodhi dhe dhe cila ishte arsyeja e konfliktit mes deputetëve, por nga sa duket nga kamerat, Gjoni u bezdis nga ndërprerjet e Valterit dhe të tjerëve.
“Po vijmë në fund të korrikut dhe nuk po diskutohet për ndryshimin e sistemit. Pse PD kërkon papritur hapje listash? A keni këllqe? (ndërhyrje nga salla) Kam të drejtën time. Halil (Jakimi) ti je nga të paktët që ke folur. Të lutem, nuk e kuptoj acarimin tuaj. Halit (Valteri) të lutem! Nuk bëhem pjesë e asnjë loje. Nuk kam hyrë në parlament prej teje. Me lejoni ta përfundoj. Nuk kam dëshirë të bëhem pjesë e asnjë pazari politik” – tha Gjoni.
Pas incidentit, Valteri mori fjalë ku tha: “Keni vendosur matjen e temperaturës, por bëni edhe testin e intelektit dhe të idiotëve në këtë vend se kemi lloj lloj idioti dhe lloj lloj halabaku që nuk dinë se ça flet”, duke iu drejtuar ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut. Kundër Ralf Gjonit ka folur edhe deputeti Myslim Murrizi ndërsa pas fjalës së tij, deputeti kërkoi replikë.
“Ralf nëse të mungon protagonizmi, merr shkresën në protokoll firmose. Po mendon se po doli djalë e merr, e po doli vajzë t’a mbajë Murrizi me shokë, s’kam ardhur këtu si trastambajtës i askujt. Në 2005, 2009 palaçot më kanë vjedhur mandatin. S’ta bën foltorja faktor tek qytetarët as takimet skutave” – i tha Murrizi, Ralf Gjonit që mori menjëherë fjalën për replikë.
“Myslym i nderuar, e dimë të dy që unë e ti jemi në një llogore. S’dua që fjalët e mia të keqinterpretohen. Jam pro ndryshimeve kushtetuese, e kam firmosur edhe një vit më parë. Të kam dhënë edhe autorizimin në telefon të më përmendje emrin. Për të sqaruar se ndoshta edhe se kuptova.
Unë jam totalisht pro për sa kohë që kjo çon në hapjen e listave, por ama, Myslym i nderuar nuk mbështes vënien e një pragu 5% në një sistem rajonal. Nuk shkon, s’ka sens juridik. Të shohim ku do të shkojmë me Kushtetutën. Po u fut dora në Kushtetutë, futet edhe në anekse të tjera. Unë këtu e kam hallin”– tha Gjoni.