Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes një deklarate për mediat, i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të rrisë numrin e testimeve për Covid 19.
Duke iu referuar nenit të Kushtetutës së vendit i cili sanksionon se “shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti”, si dhe ligjeve për “Shëndetin publik”, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa të menjëhershme për gjetjen e mundësive për shtrirjen masive dhe kryerjen e testeve të qytetarëve për COVID-19 në përputhje me modelin e ofrimit të shërbimit shëndetësor në vend për çdo shërbim mjekësor e duke zbatuar udhëzimet e OBSH-së.
Njoftimi i plotë i Avokatit të Popullit:
AVOKATI I POPULLIT KËRKON NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË GARANTIMIN E TË DREJTËS SË QYTETARËVE PËR TESTIM NË KUADRIN E PANDEMISË SË COVID-19
Avokati i Popullit i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë me anë të një rekomandimi që të rrisë numrin e testimeve të popullsisë në kuadrin e pandemisë globale të covid-19.
Institucioni i Avokatit të Popullit e vlerëson të drejtën për t’u diagnostikuar dhe për të marrë trajtim mbi bazen e testimeve, si një të drejtë të njohur nga ligji. Rezulton se kjo e drejtë nuk mundësohet për qytetarët në masën e nevojshme por është e kufizuar vetëm në domosdoshmëri.
Duke iu referuar nenit të Kushtetutës së vendit i cili sanksionon se “shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti”, si dhe ligjeve për “Shëndetin publik”, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa të menjëhershme për gjetjen e mundësive për shtrirjen masive dhe kryerjen e testeve të qytetarëve për COVID-19 në përputhje me modelin e ofrimit të shërbimit shëndetësor në vend për çdo shërbim mjekësor e duke zbatuar udhëzimet e OBSH-së.
Gjithashtu Avokati i Popullit ka kërkuar informim dhe transparencë më të mirë në lidhje me sasitë e tamponëve testues dhe kapacitetin për testuar si dhe garantimin e të drejtës për testim të çdo qytetari shqiptar. (E.K/Faxweb.al)