Pas prezantimit të projektit për shembjen e banesave në Vorë dhe nisjen e procesit të rindërtimit, banorët janë ngritur ditën e sotme sërish në protestë. Ata kundërshtojnë planin e miratuar të rindërtimit pasi sipas tyre ky plan prek drejtëpërdrejt interesat e tyre personale duke i marrë pronën në mënyrë të paligjshme.
“Dua ta ndërtoj me lekët e mia banesën e shembur nga tërmeti i shtatorit nuk më lënë se ka dalë zonë e kuqe. I bëj thirrje prokurorisë ta hetojë se kemi të bëjmë me grabitje prone”, u shpreh i revoltuar një qytetar.
Plani i miratuar nga qeveria për rindërtimin në qytetin e Vorës përfshin prishjen e 11 pallateve 5-katësh të dëmtuar dhe rindërtimin e 25 pallatëve të rinj 8-katësh. Sipas banorëve ky fakt është i papranueshëm pasi për strehimin e banorëve do të mjaftonin 13 pallate dhe nuk ka pse t’u merret në mënyrë të paligjshme prona qytetarëve të tjerë.