Falë një operacioni nga Strukturat e Hetimit të Krimit, Policia Kufitare, Komisariati Pogradec, Policia Rrugore dhe Forcat e Posaçme Operacionale të DVP Korçë, janë arrestouar 3 persona të cilët transportonin drogë me mjet, njëri prej të cilëve për të shmangur kapjen nga Policia tentoi të largohej duke u hedhur në liqen.
Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 14 kg e 300 gr, lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të strukturave është finalizuar operacioni policor i koduar “Lini”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Angjel Prifti, 42 vjeç, banues në fshatin Qafëzez, Kolonjë (i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”), Erando Çota, 22 vjeç, banues në Librazhd dhe Esmeralda Hidri, 23 vjeçe, banuese në Durrës.
“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se disa persona po lëviznin në aksin rrugor Lin-Pogradec, me një mjet tip “Ford”, ku dyshohej se mund të transportonin lëndë narkotike menjëherë u organizua puna dhe në hyrje të Pogradecit u bë konstatimi i këtij mjeti me drejtuese 23-vjeçaren dhe pasagjerë dy shtetasit e tjerë.
Në momentin që Policia iu ka dhënë shenjë të ndalonin, shtetasi A. P., ka tentuar të largohej nga mjeti duke u hedhur në liqen por u kap nga shërbimet dhe u ndalua. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin këta shtetas po udhëtonin, në bagazh, iu gjet një sasi prej 14 kg e 300 gr kanabis si edhe në banesën e shtetasit E. Ç., u gjet një sasi e vogël me lëndë narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.”, njofton policia.
(F.GJ/FAXWEB.AL)