Kombet e Bashkuara paralajmëruan se koronavirusi po e rrezikon përparimin e disa viteve në luftën kundër virusit HIV. Sipas tyre, HIV mund të çojë në më shumë se gjysmë milioni vdekje, për shkak të ndërprerjes së trajtimeve, të shkaktuar nga izolimet.
“Kufizimet e vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit kanë penguar luftën kundër infektimit me HIV te gratë, duke kufizuar qasjen e tyre në arsim dhe mbrojtje nga dhuna seksuale”, tha në një studim Programi i Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS (UNAIDS).
Me përqendrimin e qeverive në trajtimin e pandemisë së koronavirusit, vëmendja dhe burimet janë zhvendosur nga mbrojtja e njerëzve të cenueshëm nga HIV-i – virusi që mund të çojë në sindromën e mungesës së imunitetit, të njohur si AIDS.
Ndërprerja gjashtëmujore e trajtimit kundër HIV-it mund të shkaktojë më shumë se 500,000 vdekje shtesë në Afrikën nën-Sahariane gjatë vitit të ardhshëm, duke e rikthyer rajonin në nivelet e vdekshmërisë nga AIDS në vitin 2008, paralajmëron raporti.
Raporti, i titulluar “Kapja e momentit”, thotë se miliona jetë janë shpëtuar nga terapia antiretrovirale që shtyp HIV-in dhe ndalon përparimin e AIDS-it. Megjithatë, 690,000 njerëz vdiqën nga sëmundjet e lidhura me AIDS-in vitin e kaluar dhe 12.6 milionë nga 38 milionë njerëz që jetojnë me HIV, nuk kanë pasur qasje në trajtim.
UNAIDS tha se rajonet më të rrezikuara për përhapje të HIV-it janë Evropa Lindore dhe Azia Qendrore, të cilat, së bashku, kanë pasur mbi 70 për qind rritje të infeksioneve të reja që nga viti 2010./REL