Udhëheqësit e BE po takohen në samitin e tyre të parë ballë për ballë që nga kriza e koronavirusit, me pritshmëri të ulëta për një marrëveshje për një paketë stimulimi post-Covid prej 750 miliardë euro.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ky ishte “momenti i së vërtetës” për Evropën dhe orët e ardhshme do të ishin vendimtare.
Çështja kryesore është sa do të shpërndahet fondi i rikuperimit në grante dhe sa në kredi.
Ata gjithashtu duhet të bien dakord për një buxhet shtatë vjeçar me vlerë 1.07 trilionë euro të tjera.
Duke mbërritur për bisedime, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se: “diferencat janë shumë të mëdha dhe nuk mund të them nëse do të gjejmë një zgjidhje këtë herë. Do të ishte e dëshirueshme, tha ajo, por njerëzit duhej të qëndronin realist”.
Takimi i Brukselit do të vazhdojë dhe të shtunën, por udhëheqësve të BE-së mund të duhet më shumë kohë për të arritur një marrëveshje.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel pranoi se bisedimet do të ishin “shumë të vështira”, por Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis tha se askush nuk duhet të heqë dorë nga pamja e madhe – “ne jemi përballur me depresionin më të madh ekonomik që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Kryeministri Estonez Juri Ratas tha “ne kemi nevojë për një përgjigje të shpejtë, të fortë dhe të bashkuar ndaj pandemisë për të ngritur ekonominë evropiane”.
Pse fondi është kaq i ndërlikuar?
Shtetet jugore përfshirë Italinë dhe Spanjën dëshirojnë një vendim urgjent “jo të dobësuar nga një kompromis më i vogël”, sipas fjalëve të kryeministrit italian Giuseppe Conte. Ata kanë nevojë për të ringjallur ekonomitë e goditura nga një pandemi shkatërruese që mori 35,000 jetë në Itali dhe një 28.400 të tjera në Spanjë.
Banka Qendrore Evropiane me qendër në Frankfurt ka parashikuar tashmë një rënie prej 8.7% në ekonominë e eurozonës këtë vit për shkak të pandemisë. Por ekonomitë që vetëm pak kohë më parë u tërhoqën nga një krizë financiare duan grante sesa të marrin borxhe të mëtejshme.
Presidenti francez tha se Evropa po përballet me një krizë të paparë.
Plani i rimëkëmbjes, i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, për 500 miliardë euro në grante dhe subvencione dhe 250 miliardë kredi, po kundërshtohet nga disa vende “kursimtare” të Evropës Veriore, të udhëhequra nga Hollanda.
Fondi i rimëkëmbjes së BE-së tashmë është i diskutueshëm pasi paratë do të huazoheshin në tregjet financiare, për tu paguar disa kohë pas vitit 2027. Ky fond është i përbërë nga një numër instrumentesh të ndryshme, por pjesa më e madhe e tij do të drejtohej në mbështetjen e gjelbër dhe investimet dixhitale dhe reforma. Rreth 30% e fondit mund të lidhen me projektet klimatike.
Shtetet kundër, të cilat përfshijnë Austrinë, Suedinë, Danimarkën dhe në një farë mase Finlandën, dëshirojnë një kontroll mbi mënyrën e ndarjes së parave.
Ekziston gjithashtu presion për të zbutur masën e fondit 750 miliardë €, kështu që instrumenti i aftësisë paguese për të ringjallur kompanitë pas mbylljes, mund të jetë nën kërcënim.
Por Ministri Italian i Ekonomisë Roberto Gualtieri i tha faqes në internet Corriere se Roma “do të luftojë shumë për të mos modifikuar” strukturën e fondit të rimëkëmbjes.
Pse nxitohet?
Udhëheqësit kanë qenë duke udhëtuar në Evropë përpara samitit në përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Duke vizituar Suedinë, Pedro Sánchez i Spanjës paralajmëroi: “Nëse vonojmë përgjigjen, vonojmë shërimin dhe kriza mund të përkeqësohet”.
Kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, gjithashtu i ka kërkuar BE 27 të lëvizë shpejt në një “paketë ambicioze”, duke paralajmëruar se pasiguria mbetet e lartë në shpejtësinë dhe shkallën e kthimit ekonomik.
Nëse pajtohet paketa e granteve ose huave, atëherë Franca do të jetë në gjendje të vendosë 39 miliardë fonde të BE-së drejt planit të saj kombëtar të rimëkëmbjes prej 100 miliardë eurosh. Kryeministri Jean Castex tha këtë javë se 20 miliardë nga kjo do të shkonin drejt izolimit të ndërtesave dhe kthimin e qyteteve në përdorimin e biçikletave.
Një grup prej 150 shkencëtarësh dhe të personazhesh të famshëm u bashkuan me aktivistin e klimës Greta Thunberg të enjten në nënshkrimin e një letre të hapur duke u kërkuar udhëheqësve të BE-së që të përfundonin “të gjitha investimet në kërkimin dhe nxjerrjen e karburanteve fosile”.
Ndërsa aktiviteti ekonomik i eurozonës rritet dhe bllokimet janë hequr, ekzistojnë frika për një valë të dytë të COVID 19.
BQE ka konfirmuar programin e saj të blerjes së bonove të urgjencës prej 1.35 dollarë në rrugë të mbarë për të zgjatur deri në qershor të vitit të ardhshëm, për të ndihmuar qeveritë, bankat dhe bizneset.
A janë holandezët me një këmbë jashtë?
Një nga çështjet kryesore për liderët e BE-së është nëse ndonjë vend mund të ketë një veto mbi paratë që i janë dhënë një shteti anëtar për qëllime të rimëkëmbjes.
Përpara samitit, një zyrtar francez tha se Hollanda ishte e vetmja nga të ashtuquajturat shtetet që kërkonte kontroll të rreptë të kushteve për pagimin e fondeve.
A është e vërtete? Padyshim që Kryeministri Hollandez Mark Rutte insiston në reforma në pensione, mirëqenie dhe shërbime tatimore në këmbim të fondeve dhe ai dëshiron siguri që paratë shkojnë për modernizimin e infrastrukturës dhe investimeve të gjelbra.
Por edhe Finlanda dëshiron kushte të bashkangjitura me fondet e BE-së.
Detyra me të cilën përballen liderët e BE-së është të bien dakord jo vetëm për madhësinë dhe kushtet e fondit të rimëkëmbjes, por edhe buxhetin e përgjithshëm të BE-së.
Dhe Viktor Orban i Hungarisë ka kërcënuar të prishë marrëbeshjen mbi fondin dhe buxhetin nëse pagesa lidhet me shtetin e së drejtës së një shteti anëtar.
Partia e tij në pushtet Fidesz është pezulluar nga blloku i madh i Partisë Popullore Evropiane për shtrëngimin e mediave dhe shoqërisë civile.
“Ne mund ta vemë veton, sepse ajo ka nevojë për një vendim unanim. Hungaria mund të thotë jo,” tha z. Orban javën e kaluar. BBC