Ministria e Shëndetësisë ka bërë më dije se ditën e sotme kanë ndërruar jetë 4 persona nga Covid-19, ndërkohë që 155 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.
Por po ashtu bëhet me dije se është rritur në mënyrë drastike numri i personave të shtruar në spital, ku bëhet me dije se 121 pacientë janë të shtruar, ndër to 19 në terapi intensive si dhe 7 pacientë janë të intubuar.
Një ditë më parë në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtoheshin 101 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 17 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.
Dr.Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 847 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 155 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon:
Tiranë 77 raste, Durrës 18 raste, Elbasan 11 raste, Kamëz 6 raste, 5 raste në Kucovë, nga 4 raste në Korcë, Lushnje, Vlorë, nga 3 raste në Fier, Shkodër, Has, Cërrik, nga 2 raste në Krujë, Berat, Malësi e Madhe, Shijak dhe nga 1 rast në Devoll, Kukës, Kavajë, Mirditë, Mat, Divjakë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 58 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3986, që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 121 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 19 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.
Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbime të specializuar dhe 28 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Ndërsa vijojnë të trajtohen edhe pacientë të dyshuar për COVID19, sipas protokolleve përkatëse.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 4 pacintë, një 57 vjeçar nga Vlora dhe tre qytetarë nga Tirana një 68 vjeçar, një 80 vjeçar dhe 82 vjeçar me sëmundje bashkëshoqëruse. I shprehim ngushëllimet familjarëve.
Ministria e Shëndetësisë i bën thirrje qytetarëve se në rast se dyshoni se jeni të prekur nga COVID19 dhe keni shenja të sëmundjes, të telefononi menjëherë Urgjencën Kombëtare në numrin 127 ose në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun tuaj të familjes.
Menjëherë sapo të shfaqen shenjat e para, duhet të vetëizoloheni, dhe të këshilloheni me mjekun e familjes.
Është shumë e rëndësishme që jo vetëm personat e konfirmuar pozitivë por edhe ata që janë të dyshuar apo janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit.
I bëjmë thirrje çdo qytetari për të mbajtur maskën kudo në ambjente të mbyllura apo ku nuk ruhet distanca, të ruani distancimin fizik dhe higjienën personale.
Kjo është e vetmja mënyrë që të kufizojmë përhapjen e infeksionit. Sjellja individuale është përcaktuese në këtë betejë me COVID-19.