Klientët e një lokali që gjendet pranë Liqenit të Farkës përfunduan në polici, për të dëshmuar për një sherr masiv. Atje janë pyetur jo vetëm për sjelljen e njerëzve, por edhe të kafshëve që ishin shkaktarë të ndezjes së gjakrave. Siç njoftojnë burime zyrtare rrëmuja u shkaktua nga qeni i shtetases O.M.
Vajza po pinte kafen e mbrëmjes kur qeni u shkëput egërsisht. Ajo rrëfen në komisariatin numër 1: “Qeni pa një mace në lokalin ngjitur, më iku nga duart dhe hyri në lokalin tjetër”. Por kur macja i shpëtoi, shtetasi A.K. njëri nga klientët, shton për policinë: “Qeni vrapoi pas lepujve, fëmijët u trembën, ime bijë katër vjeçe u rrëzua dhe dëmtoi gjurin”.
Në këtë situatë kaotike, teksa prindërit shanin qenin, pronari i lokalit filloi ta godiste me shkelm kafshën dhe kur aty mbërriti e zonja, palët filluan të ofendohen e të shahen. Sipas burimeve, për të zgjidhur rrëmujën njëri nga klientët njoftoi policinë, tek e cila vajza O.M. kallëzoi shtetasin F.B. se i dëmtoi qenin duke e qëlluar dy-tre herë dhe se atë e kishte ofenduar. Pronari njëkohësisht kallëzon të renë për rrezikimin e jetës së lepujve dhe të fëmijëve. Ai dëshmon se po mbante mbesën një vjeçe kur qetësia u shemb nga të lehurat e një qeni.
“Kur qeni hyri i kërkova me kulturë të zonjës ta administronte, por qeni nuk i bindej. Qeni hyri brenda ku kishte shumë fëmijë, disa prej tyre po ushqenin lepujt, kapi dy lepuj, pastaj të tretin që është gati për të ngordhur”, dëshmon ai në polici.
Policia për të mbajtur shënim çdo detaj i shoqëroi të gjithë në stacionin policor të Farkës ku i shpëtuan verifikimeve kafshët dhe të miturit. Kamerieri deklaron se dëgjoi zonjën qe shante pronarin pasi i ishte dëmtuar qeni. L.S., klient, deklaron: “Vajza hyri dhe pasi kapi qenin i hoqi nga goja lepurin. Pas këtij momenti pronari dhe zonja dolën në rrugë dhe shkëmbyen sharje”.
Pasi i ka dëgjuar të gjithë, policia deklaron për se të zonjën e qenit do ta referojë për t’u hetuar për “braktisje të kafshës së shoqërimit”, kurse pronarin për “kanosje”. /Gazeta Si