Albin Kurti pritet të jetë kryeministri i ri i Kosovës. Një gazetë gjermane thotë se ai është një ish neo-marksist që ka ndryshuar kohët e fundit. Por si u përgjigjet vetë Kurti disa prej pyetjeve më të nxehta? Më poshtë është një intervistë që ai ka dhënë pas zgjedhjeve për gazetën e madhe gjermane, FAZ
Zoti Kurti, asnjë çështje e rëndësishme politike në Kosovë nuk vendoset pa pëlqimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ka refuzuar gjithmonë të flasë me ju si diplomatët e tjerë të Uashingtonit në Prishtinë. A keni marrëdhënie të mira me ambasadorin aktual amerikan, Philip Kosnett?
Ambasadorin Dell e kam takuar njëherë, por më pas patëm një mosmarrëveshje për autostradën nga Prishtina për në Tiranë, të ndërtuar nga Bechtel-Enka, e cila ishte tre herë më e shtrnjtë se çmimet e tregut. Ai atëherë punonte shumë për autostradën dhe tashmë punon për të njëjtn kompani në Afrikë. Por ambasadorin Kosnett e kam takuar tre herë tashmë.
A mendoni se amerikanët janë më pak kritikë tani se dikur?
Ka kaluar kohë që kur ambasadori Dell u largua nga Kosova në vitin 2012. Ambasadori Kosnett kundërshton me forcë korrupsionin, nepotizmin dhe kërkon shtet ligjor. Kjo përkon me përparësitë e Vetëvendosjes.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka qenë gjithmonë një faktor kryesor në formimin e qeverive kosovare…
Kështu ishte, por kohët e fundit politikanët e qeverisë tonë kanë provuar se ata madje mund të prishin marrëdhëniet e mira të Kosovës me Shtetet e Bashkuara vetëm për të shpëtuar politikat e tyre korruptive. Kur bëhet fjalë për paratë dhe pasurinë e tyre, ata nuk u binden as Shteteve të Bashkuara. Çfarë surprize…
Ata dukej se e mbështesnin kryeministrin e dorëhequr së fundmi të Kosovës, Ramush Haradinajn, përveç të paktën një çështje: tarifat ndëshkuese që ai ka vendosur për importet nga Serbia.
Në fakt, unë nuk jam në favor të shfuqizimit të këtyre tarifave, por preferoj një politikë të reciprocitetit të plotë. Për shembull, Serbia nuk pranon targat tona ose produktet që mbajnë emërtimin e origjinës “Made in Kosova”. Kjo është absurde- dhe për aq kohë sa mallrat me emërtimin tonë të origjinës nuk lejohen në Serbi, mallrat me origjinë serbe nuk duhet të shiten këtu. Mbi të gjitha, tarifat kishin një efekt anësor që nuk ishte aspak ekonomik: ato kontribuan që ideja shkatërrimtare e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës të hiqej nga tavolina.
Ju e përshkruani Kosovën si një ‘shtet të kapur’, të cilin e kanë kapur ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj. Ju keni premtuar se do e zhbëni këtë kapje. Si do e arrini këtë?
Prokuroria, policia, gjyqësori dhe shërbimet sekret, si dhe disa sipërmarrës, janë të përfshirë në këtë kapje të shtetit. Unë jam i gatshëm që të luftoj krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta dhe jam i gatshëm që të shkatërroj monopolet e oligarkisë në Kosovë. Për të qenë të suksesshëm, na duhet mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare.
Nëse do bëheni kryetar i qeverisë së Kosovës, duhet të bashkëpunoni me presidentin Hashim Thaçi, të paktën deri në vitin 2021, kur i mbaron mandati. Por ju e akuzoni si përgjegjësin kryesor për kapjen e shtetit. Duhet të jetë një bashkëjetesë e vështirë.
Sigurisht nuk do jetë e lehtë. Por do ishte më mirë sikur Thaçi të tërhiqej nga presidenca dhe politika në tërësi. Ky president ka shkatërruar reputacionin e shtetit tonë me debatin për shkëmbimin e territoreve. Pas çlirimit nga pushtimi serb në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, tani na duhet një kthesë e tretë, në të cilën politikanë të korruptuar si Thaçi të largohen nga jeta publike e këtij vendi.
Sidoqoftë, për shumë kosovarë ka çështje më urgjente, siç është gjendja e dobët e arsimit në Kosovë. Çfarë ofroni ju?
Në dëshirojmë që të prezantojmë një sistem të dyfishtë dhe ta përqendrojmë sistemin tonë arsimor më shumë te nevojat e ekonomisë, siç është shembulli gjerman dhe zviceran.
A ka Kosova shumë akademikë?
Kemi 6 mijë avokatë, por shumica e tyre nuk kanë punë. Papunësia është më shumë se 50 përqind. Dhe ata që janë të punësuar në sektorin privat, vetëm një e katërta kanë kontrata të vazhdueshme pune. Shumë të rinj largohen nga vendi për shkak të pagave të ulëta. Pagat në sektorin publik janë mesatarisht 500 euro, ndërsa paga mesatare në sektorin privat është 350 euro. Normalisht njerëzit kërkojnë punë në shërbimin civil sepse duan siguri- por atje pagat nuk duhet të jenë më të larta se në sektorin privat.
Në vitin 2010, në programin e parë të Vetëvendosjes thuhej ndër të tjera se duhet të hiqet flamuri kombëtar kosovar për t’u zëvendësuar nga flamuri kombëtar i Shqipërisë. A e keni akoma si qëllim?
Ne ishim të indinjuar se pyetja për flamurin e Kosovës nuk ishte objekt referendumi. Që nga viti 2011, si kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme në parlament, unë e kam pranuar flamurin e Kosovës. Sidoqoftë ne duam të mbajmë flamurin kombëtar të shqiptarëve në lëvizjen tonë. Ndoshta një ditë do të hapim një debat për ndryshimin e flamurit- por kjo nuk është me të vërtetë përparësia ime. Tani duhet të shpëtojmë këtë shtet të kapur.
Duket se arritjet e ekipit kosovar të futbollit kanë ndihmuar edhe flamurin kosovar që të fitojë më shumë prestigj…
Është kështu, dhe në fund të fundit, veriu i Kosovës është gjithashtu në këtë pyetje pjesë e vendit tonë, çka është pozitive. Sepse presidenti i Kosovës ka tentuar që të shkëpusë veriun e këtij vendi. Unë e respektoj dhe e dua shtetin kosovar, por gjuha, kultura dhe historia jonë është shqip, që do të thotë se jemi një komb me dy shtete.
Një kërkesë e vjetër nga partia juaj është mbajtja e referendumeve paralele në Kosovë dhe Shqipëri për ribashkim. A vlen akoma kjo?
Kushtetuta jonë na ndalon që të bëhemi pjesë e një shteti tjetër. Kjo është në kundërshtim me një dispozitë tjetër të së njëjtës Kushtetutë, e cila e përcakton Kosovën si shtet sovran. Kjo është arsyeja se përse ne donim të kishim të drejtën e një referendumi të tillë. Por ne nuk duam të nisim një tjetër luftë ballkanike për shkak të kësaj. Ne duam ta arrijmë këtë në mënyrë paqësore, demokratike dhe kushtetuese.
Në një program të mëparshëm të Vetëvendosjes thuhet gjithashtu se Kosova nuk duhet të krijojë ekipet e saj sportive për garat ndërkombëtare, por përkundrazi duhet të forcojë ekipet kombëtare të Shqipërisë. Nuk dukeni në shumicë, veçanërisht duke parë sukseset e fundit të ekipit kosovar të futbollit…
Ky sukses tani është një fakt, është e vërtetë.
A mund ta përshkruajmë Kosovën si një shtet ku gazi lotsjellës përdoret jo vetëm kundër opozitës, por edhe prej saj?
Nga shumë prej bombave me gaz lotsjellës që na hodhi policia, ndoshta një duzinë nuk shpërtheu. Ne i mblodhëm dhe i përdorëm në parlament kundër qeverisë. Kjo ishte koha kur qeveria nënshkroi marrëveshjen për përcaktimin e kufijve me Malin e Zi dhe një tjetër për formimin e shoqatës së komunave serbe. Në këto rrethana, ne përdorëm gaz lotsjellës. Kur u përdor kundër demonstruesve tanë, nuk ishte problem për askënd. Kur i përdorëm kundër politikanëve të korruptuar, të gjithë folën menjëherë.
Sidoqoftë e pranoni se përdorimi i gazit lotsjellës në parlament ishte i pazakontë, për ta thënë me terma të butë.
Përdorimi i gazit lotsjellës nuk ishte diçka që e donim, por në situatën e krijuar, për fat të keq, u bë i domosdoshëm. Dhe përveç kësaj, ka mbaruar. Ajo që ne synojmë tani është sundim i rreptë i ligjit, përfshirë një rishikim të plotë të të gjithë zyrtarëve të drejtësisë, procesi i vetingut. Ashtu si në Shqipëri, por më konsekuent, pasi atje po zgjat shumë. Nëse bëhem kryeministër, nuk do jem unë figura më e shquar në Kosovë, por Prokurori i Përgjithshëm. Ky është premtimi im.
Shtete të tilla si Franca, Holanda dhe deri në një farë mase Gjermania, pretendojnë ende se Kosova nuk është gati për heqjen e vizave për shkak të mungesës së strukturave ligjore. Çfarë do të thotë kjo për misionin europian të shtetit ligjor, Eulex, që duhej të kishte ndërtuar këto struktura?
Ndërsa qëllimi i dukshëm ishte ndërtimi i një shteti ligjor, misioni i vërtetë i Eulex ishte stabiliteti politik afatshkurtër. U fol për sundimin e ligjit dhe drejtësinë, por në të vërtetë ishte gjithçka për një stabilizim afatshkurtër të rendit politik këtu. Fakti që Kosovës i është refuzuar heqja e vizave, nuk do e ndëshkojë elitën politike të këtij vendi, por popullsinë e zakonshme.
Presidenti francez, Macron dhe kancelarja Merkel thuhet se ia ofruan ish-kryeministrit Haradinaj në Berlin, nëse tërheq tarifat ndëshkuese kundër Serbisë, duke i thënë se do punonin të dy për heqjen e vizave për Kosovën? A është një mundësi e vlefshme akoma?
Nuk jam i disponueshëm për të tilla shkëmbime. Bëhet fjalë për të luftuar korrupsionin këtu në vend. Kështu që të gjithë në BE mund të shohin vetë se Kosova ka nisur një kapitull të ri. Ne i kemi plotësuar të gjitha 96 kushtet e Komisionit Europian për heqjen e vizave, por Kosova ka ende një reputacion të keq në shumë vende. Me këtë do të merremi. Përshtypja që kanë për ne në kryeqytete të tjera nuk është e mirë. Ne duhet të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin për interesin tonë.
A është korrekte nëse e përshkruajmë Vetëvendosjen si parti ‘nacionaliste të majtë’?
Nuk mendoj kështu. Jemi një parti socialdemokratike. Nëse gjeni tek ne gjurmë patriotizmi, atëherë ky është më shumë një atdhetarizëm antikolonial. Nuk ka asnjë lidhje me nacionalizmin që e shohim kaq shpesh në BE sot. Bëhet fjalë për të drejta të barabarta.
Discussion about this post