Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Ruli, i cili ka qenë katër herë ministër dhe pesë herë deputet, ka rrëfyer së fundmi nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e jetës politike apo do ta braktisë atë.
Përtej rrëfimit mbi jetën e tij, përshtypjet që ka për kryeministrin Edi Rama dhe liderin e PD-së, Lulzim Basha, ai është ndalur në intervistën për “Vila 24” në këtë moment kyç të jetës së tij politike.
Ai u shpreh se gjatë karrierës së tij politike i ka rastisur të jetë deputet në zona të vështira, ndërkohë që sot nuk e di nëse do të vazhdojë apo jo të jetë pjesë e politikës apo do të tërhiqet prej saj.
“Gjatë karrierës sime politike kam qenë deputet i zonave të vështira, që në ‘92 kur kandidova në Gjirokastër që ka qenë bastion i së majtës. Më pëlqejnë zonat e vështira, por ende nuk e kam vendosur nëse do mund të vazhdoj apo mund të mos vazhdoj më në politikë”,- u shpreh ai.
Genc Ruli ka mbajtur postin e ministrit të Financave në Qershor 1991-Dhjetor 1991, ministër i Financave dhe Ekonomisë në vitet 1992-1993, i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në vitet 2005-2009, ndërkohë që nga 2009-a deri në 2013-ën ka mbajtur postin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
(XH.A/SHUPLAKA)