Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë sot në konferencën ndërkombëtare të gazetarëve të Europës Juglindore (South East Europe Media Forum), nga ku i është përgjigjur interesit të gazetarëve për çështjen “Lleshi”.
Meta nuk dha detaje nëse do ta dekretonte apo jo Sandër Lleshin në postin e Ministrit të Brendshëm, pas 2 refuzimeve, ndërsa tha se për këtë çështje do të kthente përgjigje institucionale në ditët në vijim.
“E di shumë mirë si funksionon procedura e emërimit të ministrit. Kam qenë kryeministër dhe kryetar Kuvendi dhe e di si funksionon. Në ditët e ardhshme do merrni përgjigje institucionale e korrekte dhe nuk kam ndërmend të përfshihem në debate”, deklaroi Presidenti Meta.
Kujtojmë se afati kushtetues që Presidenti të shprehet me dekret për propozimin e kryeministrit, skadon nesër, ndërsa më 9 nëntor kryeministri Edi Rama e çoi sërish emrin e gjeneralit në Presidencë si propozim për ministër të Brendshëm.
(B.B/ Faxweb.al)
Discussion about this post