Jo pak herë në media kanë qarkulluar emra se kush mund të jenë Ministrat e qeverisë Rama 2. E një nga postet siç është ai i Ministrit të Bujqësisë është menduar se do t’i besohet kryesuesit të listës së Fierit për PS-në Erion Braçes.
Vetë ai në një intervistë për “GSH” është shprehur se është në dijeni të këtyre fjalëve po ka theksuar më tej se asgjë nuk është zyrtare deri në shtator.
Sigurisht që edhe në këtë intervistë siç ka bërë kohët e fundit Braçe ka sulmuar ministrin aktual të Bujqësisë, Edmond Panariti duke thënë se, puna nuk bëhej duke qenë në karrige e duke parë kalin e Skënderbeut.
“Aaa po, po, patjetër, e kam dëgjuar dhe unë këtë. Por, jo tani. E kam dëgjuar katër vite me radhë. Sa herë shihja politikat e ndërtuara keq, denoncoja ndarjen e përdorimin klientelist, korruptiv të parave publike për bujqësinë, kërkoja ndryshim në shërbim të bujqve të Divjakës e Lushnjës, veçanërisht në përmbushje të infrastrukturave bazë-vaditje e kullim, merrja pas kurrizi sulmin: ‘Ai nuk flet parimisht, kërkon të bëhet ministër, do karrigen’.
Në fakt, unë flisja konkretisht, më konkretisht se kushdo në atë ministrinë prej Tirane. Flisja nga bujqit. I bindur se puna nuk bëhej duke parë kalin e Skënderbeut e atë vetë mbi kalë me shpatën në dorë. Puna bëhej me bujqit, duke iu gjendur jo vetëm me infrastrukturën bazë, vaditje, kullim, rrugë parcelash, por edhe me “para në dorë” për t’i hequr shpenzimet bazë të punës me tokën. Duke ndryshuar kahjen e financimit e duke e drejtuar tek bujqit, prodhuesit.
Ende nuk e kam një të vetëm në Lushnje e Divjakë, bujk të zakonshëm them, që të ketë përfituar një qindarkë për punën me tokën, prodhimin. Do pres deri në shtator xhanëm, tamam atëherë, kur të çlirohen zyrat e letrat të mos jenë më pronë e ministrit hije në atë ministri. Kështu, mos i dëgjoni këto “llafe”. Puna është një gjë shumë serioze për mua. Puna vlen. Punën di të bëj. Llafet i kanë zanat këta.
A e mban mend si thanë në fushatë; Braçe flet për bujqësinë si Basha! Pra jo si ministër, por si Basha. Punë llafesh domethënë. Përgjegjësia që kemi marrë këtë herë në qark, Fier, Lushnjë e Divjakë, trekëndëshin që bart ekonominë më të madhe bujqësore në vend, është shumë, shumë më e madhe se llafet, kërkon punë dhe ne punën dimë të bëjmë tashmë”, shprehet Braçe.
Kujtojmë se edhe Rama pak ditë më parë ka thënë se zyrtarizimi i emrave që do të jenë pjesë e kabinetit do të bëhet vetëm gjatë muajit shtator. (E.K/SHUPLAKA)