“A do të jetë Jorida Tabaku, kandidatja e PD-së për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme lokale?” Këtë pyetje ia bëri direkt, gazetarja Mirela Milori deputetes së PD-së, ndërkohë që ajo u përgjigj se kjo ende nuk dihet, pasi kandidati do të vendoset pas një diskutimi të gjatë brenda frontit opozitar.
“Kjo ishte një pyetje e papritur Mirela. Unë nuk e di se kush do jetë kandidatura për Tiranën, por di të them që do të ofrojmë një kandidaturë më të mirë se Erjon Veliaj dhe Ogerta Manastirliu të dy bashkë.
Sot kam parë njerëz që po detyroheshin, po dilnin nga shtëpitë e tyre me fëmijët para festave të Vitit të ri, pa një letër. Këtë nuk ka për ta bërë kurrë një kryetar bashkie i djathtë.
Nuk është diskutuar asnjëherë asnjë kandidaturë. Është një proces që zoti Basha e ka lançuar që do të vazhdojë. Në fund të gjithë do ta marrin vesh. Nuk fshihet dot kandidati”, tha Tabaku.
Përsa i përket marrëdhënies së opozitës me parlamentin, Tabaku tha se ajo është e kushtëzuar pasi ka marrë pjesë në komisione. Sipas saj nuk bëhet fjalë për bojkot dhe opozita do të shkojë në parlament kur të ketë reagim për vettingun në politikë.
(E.K/FAXWEB.AL)